0030 210 33 18 483

Detaje të reja për rrjetin e narkotrafikut të &ldquoEskobarit&rdquo

21 Maj 2016

Shtypi grek vazhdon të publikojë detaje të reja nga veprimtaria e rrjetit ndërkombëtar të drogës që sillej të drejtohej nga shtetas shqiptarë, njerin prej të cilëve shtypi grek e cilëson si “Eskobari i Ballkanit”. E përditshmja Kathimerini, që thotë se disponon dosjen me deponimet e të arrestuarve, shënon se shumica e tyre kanë mohuar akuzat që u janë komunikuar. Përballë zbardhjes së bisedave telefonike të përgjuara, ata kanë thënë se udhëtimet e tyre të shpeshta në Shqipëri, Belgjike dhe Holandë, lidheshin me veprimtari të ligjshme biznesi. Kështu, dy prej të arrestuarve, shtetas grekë, për të cilët akuza thotë se përdornin emrat e koduar “shalqi” dhe “suflaqe” për drogën, kanë paraqitur secili versionin e vet. 59 vjeçari Th.A. që gjatë bisedave thirret “Tomi”, pretendon se “kisha për qëllim të merresha me tregimin e produkteve bujqësore dhe ushqimeve, nga Greqia në vende të treta. Për të realizuar projektin tim kisha kontaktuar me persona si Dhimitrë Poti (shënim: shtetas shqiptar që është arrestuar në Belgjikë, si një nga krerët e organizatës kriminale), por edhe me persona të tjerë, si me një kultivues bostanësh në Kilini të Greqisë”. Një i arrestuar tjetër, 56 vjeçari me inicialet M.S., akuzohet se ishte personi që modifikonte automjetet duke bërë zgavrat e posaçme ku fshihej droga. Por edhe ai e ndërlidh me arsye biznesi të ligjshëm një udhëtim që kishte bërë në Holandë. “Në qershor 2014 shkova në Holandë për të punuar në një dyqan suflaqesh dhe ta blija nëse punët shkonin mirë. Kam bërë para nga tregtia e makinave që e ushtroj ligjërisht”, u ka thënë ai hetuesve. Përkundrazi, 46 vjeçari G.A. që sipas dosjes së akuzës ishte përgjegjës për magazinimin e drogës në Greqi, ka pranuar implikimin e tij në importimin në Greqi të ngarjesës prej 673 kg kanabis, që u kap në ishullin e Zakinthos. Ai ka emërtuar tre shtetas shqiptarë, me të cilët thotë se ishte takuar në Fier, për të bërë marrëveshjen. “Në fillim të vitit 2015 shkova në qytetin e Fierit, ku u prezantova me disa persona. (Emrat e tyre nuk publikohen nga Kathimerini). Dallova përnjëherë tek ata se kishin pare të madhe, dhe më thanë se merren me restorante dhe se kishin disa kompani taksish. Më pyetën nëse isha i interesuar të bëja një transport ‘special’”. Sipas Kathimerini, deponimi që i djeg gjithë të arrestuarit është ai i 33 vjeçarit H.P., që ka shërbyer si drejtues i mjetit në disa prej transfertave të drogës. Ai thotë se 46 vjeçari G.A., i propozoi që të hapte një firmë me emrin TSAF TRANS, që u vendos në qytetin bullgar Petriç, pranë kufirit me Greqinë. “Periudhën e parë firma ushtronte aktivitet të ligjshëm. Por më pas, më kërkoi që të transportoj kanabis të papërpunuar nga Shqipëria në Holandë”, ka deponuar ai. Asgjesimi Rrjeti u asgjesua dhjetëshin e parë të majit. Në zona të ndryshme të Greqisë janë arrestuar 13 shtetas grekë dhe dy shqiptarë. Operacionet në Greqi u zhvilluan në bashkëpunim me zyrën e Athinës të shërbimit amerikan kundër drogës, DEA. Sipas policisë, rrjeti ka vepruar prej disa vitesh dhe fitimet nga trafiku i drogës, kryesisht kanabos dhe heroinë, përllogariten në qindra milionë dollarë. Sipas policisë greke, rrjeti funksiononte në formën e një biznesi të mirorganizuar dhe ishte i shtrirë në shumë vende të Europës dhe të Ballkanit, ku ishin krijuar firma transporti në emra personash bedelë. Droga transportohej në tregun europian, me maunet e transportit ndërkombëtar në pronësi të këtyre firmave. Vendet për fshehjen e drogës fabrikoheshin në një hangar në Aspropirgo, në periferi të Athinës. Përveç drogës, policia greke ka sekuestruar me cilësinë e provave një skaf, 5 kamiona, një pushkë, një shumë parash prej 14.940 euro, 39 telefona celularë, etj. Tribuna

Ndaje me miqte