0030 210 33 18 483

Detaje të reja për sulmet në Paris

14 Nentor 2015

Sulmet terroriste të së premtes në Paris, u shënuan në gjashtë pika të ndryshme të kryeqytetit, njofton agjencia franceze e lajmeve (AFP), në një përmbledhje të publikuar mesditën e të shtunës. Sipas agjencisë, numri i të vdekurve është 127, ndërsa të plagosurit reth 180, nga të cilët 80 janë një “gjendje absolutisht emergjente”. (Ndërkaq, agjencia Reuters, citon një burim të prokurorisë së parisit, sipas të cilit numri i të vdekurve është 128, ndërsa 99 prej të plagosurve janë në gjendje kritike). Sulmet u kryen në afërsi të stadiumit Stade de France, në pjesën veriore dhe atë lindore të Parisit, në vende ku ka grumbullime të konsiderueshme njerëzish gjatë fundjavës në afërsi të Place de la Republique (sheshi i Republikës), ku kishin protestuar 1,5 milionë njerëz pas sulmit të janarit në zyrat e Charlie Hebdo. Bataclan: 82 të vdekur Disa persona të armatosur, me fytyra të maskuara mësyjnë rreth orës 21,10 (sipas orës lokale) dhe nisin të qëllojnë duke thirrur “Allah Akbar” brenda sallës së koncerteve La Bataclan, ku po jepte shfaqje grupi heavy metal amerikan Eagles of Death (Shqiponjat e Vdekjes). Rreth 1.500 spektatorët mbeten peng i terroristëve për thuajse tri orë. Të paktën 82 veta humbin jetën. “I dëgjova qartazi t’u thonë pengjeve “ e ka fajin Hollande, e ka fajin presidenti juaj, nuk duhej të ndërhynte në Siri... Folën gjithashtu edhe për Irakun”, tha 35 vjeçari Pierre Jeanaszak, një producent i televizionit dhe i radios, që ndodhej në sallë. Policia ndërhyri pak para orës 00,30 dhe operacioni përfundoi pas rreth 30 minutash. Katër autorët e sulmit terrorist janë të vdekur, tre prej tyre pas aktivizimit të eksplozivit që kishin në brez. Stade de France: 4 të vdekur Njëkohësisht me sulmin në Bataclan, një shpërthim i parë u shënua në ora 21,20 (sipas orës lokale) në zonën e stadiumit Stade de France, ku është programuar të zhvillohet finalja e Euro 2016. Presidenti francez, Francoise Hollande që po ndiqte ndeshjen miqësore Francë-Gjermani, u largua menjëherë, ndërsa policia krijoi një kordon sigurie në hyrjet dhe daljet e stadiumit. Përreth këtij kompleksi sportiv u shpnuan gjithësej tre shpërthime të njëpasnjëshme. Një polic, si dhe tre kamikazet mbetën të vrarë. Rue de Charrone: 18 të vdekur Në pjesën lindore të Parisit, në rrugën Sharon (Rue Charrone), 18 persona humbën jetën në një dekor që kujtonte skena lufte. Një burrë deklaroi se dëgjoi breshëri armësh “për dy, tre minuta”... Pashë shumë trupa pa jetë të shtrirë për tokë, të mbuluara nga gjaku”. Sipas tij, një kafe dhe një restorant japonez ishin në shenjestër të sulmeve. Rue Alibert: të paktën 12 të vdekur Pak më në veri, të shtëna u shënuan në kryqëzimin e rrugëve Alibert dhe Bichat, në restorantin Le Petit Camodge (Kamboxhia e vogël). Bilanci: të paktën 12 të vdekur. “Ishte jashtë realitetit, gjithë njerëzish kishin rënë në dysheme, askush nuk lëvizte”, tha një dëshmitare. “Ishte shumë qetësi, njerëzit nuk po kuptonin se ç’po ndodhte. Një burrë i ri mbante në duar një vajzë të vogël. Dukej se kishte vdekur”, shtoi. Rue de la Fontaine: minimumi 5 të vdekur Disa qindra metra nga Bataclan, në rrugën de la Fonten, objektivi i terroristëve ishte një piceri, La Casa Nostra. Pesë njerëz humbën jetën të qëlluar “me shumë breshëri” armësh automatike, sipas një dëshmitari okular, 35 vjeçarin Matthieou. “Të paktën pesë të vdekur ishin rreth meje, dhe të tjerë në rrugë. Gjithandej gjak. Isha shumë me fat”. Bulevardi Voltaire: një i vdekur Një tjetër sulm u shënua në bulevardin Volter, jo shumë larg nga Batalcan. Kamikazi i ngarkuar me eksploziv humbi jetën. Tribuna

Ndaje me miqte