Detaje të reja për takimin Rama Tsipras
Tribuna
26 Maj 2017
Me kthimin e kryeministrit Aleksis Tsipras në Athinë, kanë dalë në dritë më shumë detaje nga biseda që ai ka zhvilluar me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Sipas burimeve pranë zotit Tsipras, -që janë cituar nga mediat vendase- kryeministri grek ka përshëndetur zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri dhe kontributin e gjithë forcave politike të vendit për këtë qëllim.
Tsipras gjithashtu nënvizoi mbështetjen e fuqishme të Greqisë për procesin e reformave në Shqipëri dhe rëndësinë që Athina i kushton respektimit të të drejtave të minoritetit grek që jeton atje.
Sipas të njëjtave burime, dy kryeministrat theksuan lidhjet e ngushta historike, kulturore dhe ekonomike të të dy popujve, që janë intensifikuar dekadat e fundit.
Aleksis Tsipras dhe Edi Rama nënvizuan se marrëdhëniet greko-shqiptare janë të natyrës strategjike, ndërsa shprehën mbështetjen e plotë ndaj dy ministrave të jashtëm për krijimin e një mekanizmi konsultimesh intensive me synim zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Paralelisht theksuan hapat e rëndësishëm që janë bërë në integrimin e emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Dy kryeministrat nënvizuan rolin e rëndësishëm të Greqisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe ranë dakord që të forcojnë dialogun ndërmjet të dy vendeve lidhur me organizmat ndërkombëtarë.
Ndaje me miqte