Digjet kulla 24 katëshe në Londër njerëz janë bllokuar mes flakëve
Tribuna
14 Qershor 2017
Që nga orët e para të mëngjesit të së mërkurës zjarrfikësit në Londër po përpiqen të venë nën kontroll zjarrin që ka shpërthyer në një kullë të lartë.
Në vendngjarje, në pjesën perëndimore të kryeqytetit britanik, po operojnë 200 zjarrfikës, me 40 automjete, ndërsa ka gjithashtu dhjetra autoambulanca dhe makina të policisë.
Kulla, që njihet me emrin Grenfell Tower, ka 27 kate dhe 120 apartamente banimi.
Zjarri duket se ka nisur nga kati i dytë dhe u ngjit me shpejtësi në katet e sipërme. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit.
Dhjetra njerëz kanë marrë në vend ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më vonë u njoftua se 30 persona janë dërguar në pesë spitale të Londrës.
Dëshmitarë okularë thonë se në kullën që po digjet janë bllokuar njerëz. Por ende nuk ka njoftime zyrtare nga autoritetet.
Ndërkaq, janë tronditëse dëshmitë e banorëve që arritën të dilnin nga kulla dhe përshkrimet e gazetarëve të cilët shkuan në vendngjarje që në momentet e para.
“Ndodhem 100 metra larg kullës që po digjet dhe jam mbuluar nga hiri. Situata është shumë serioze”, raportoi gazetari i Channel 4, George Clarc.
“Dola sa më shpejt që munda nga apartamenti. Kishte panik dhe gjithandej njerëzit bërtisnin. Tymi në korridoret ishte shumë i dendur”, tha njeri prej banorëve.
Ndaje me miqte