0030 210 33 18 483

Disbursohet kësti i kredisë për Greqinë. Juncker në Athinë

21 Qershor 2016

Të martën pasdite është kryer transaksioni për disbursimin një transhi me vlerë 7,5 miliardë euro, të kredisë që i është akorduar Greqisë në kuadër të programit të shpëtimit. Lajmi u bë i ditur nga Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM), nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social Twitter. Kreu i ESM, Klaus Regling, që ishte të martën në Athinë, tha se pjesa më e madhe e transhit, ose 5,7 miliardë euro, do të përdoret për shlyerjen e kredive më të hershme që ka marrë ndër vite Athina. Pjesa e mbetur, 1,8 miliardë euro, do të përdoren nga shteti grek për të shlyer detyrime të akumuluara ndaj biznesit privat. Transhi i disbursuar të martën ka shkaktuar një frymëmarrje lehtësimi në Athinë, në kohën që qeveria greke u sforcua jashtëzakonisht për të siguruar 900 milionë euro që ishin detyrimet ndaj kreditorëve për tri javët e para të qershorit. Të martën, u ndodh në Athinë edhe presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. I ftuar në konferencën vjetore të Ligës së Industrialistëve të Greqisë, zoti Juncker u takua më përpara me kryeministrin grek, Aleksis Tsipras. Kreu i Komisionit Europian tha se ai kishte ardhur për të sjellë një mesazh shprese dhe shtoi se Greqia ka kaluar një shkëmb të madh, dhe tashmë mund të futet në rrugën e duhur. Poisaçërisht për programin e shpëtimit, Juncker tha se nuk synon vetëm përmirësimin e financave publike, por edhe modernizimin e ekonomisë greke dhe të administratës publike. “Përpjekjet që kërkohet të bëhen nga Greqia janë në dobi të brezave të ardhshëm”, theksoi presidenti i Komisionit Europian. Tribuna

Ndaje me miqte