0030 210 33 18 483

Diskutim i hapur për lejet e qëndrimit dhe nënshtetësinë

Tribuna 16 Mars 2018

Në kohën që duket se diçka po lëviz më në fund për emigrantët e ligjshëm që jetojnë e punojnë në Greqi, organizata joqeveritare (OJQ) “Arogji - Përkrahja” organizon një bashkëbisedim për çështjet më të mprehta të emigracionit. Veprimtaria titullohet “Diskutim i hapur për çështje të emigracionit, nënshtetësisë, natyralizimit - evidentimi i problemeve dhe propozime për zgjidhjen e tyre”. Qëllimi i këtij diskutimi është që të diskutohet mbi ndryshimet e reja në lejet e qëndrimit dhe çështjet e nënshtetësisë, si dhe për problemet me të cilat ndeshen qendrat e shërbimit të emigrantëve. “Përmes dialogut dhe shkëmbimit të mendimeve do të përpiqemi të shqyrtojmë problemet reale dhe përmes propozimeve të nevojshme, do të sugjerojmë mënyrat për zgjidhjen e tyre”, na tha Fatos Malaj, drejtues i organizatës “Arogji-Përkrahja” dhe ndërmjetës ndërkulturor në drejtorinë e Emigracionit Athinë. Në të vërtetë, personat e zgjedhur për panelin e kësaj veprimtarie janë aktualisht më adaptët: drejtues të ministrisë së emigracionit dhe të shërbimeve të lejeve të qëndrimit e të nënshtetësisë, që njëkohësisht janë edhe ekspertë të afirmuar për këto tema. Do të flasin dhe do t’iu përgjigjen pyetjeve të të pranishmëve: Miltiadhis Klapas, sekretar i përgjithshëm i ministrisë së emigracionit; Llambros Baltsiotis, sekretar i posaçëm për nënshtetësinë në ministrinë e punëve të brendshme; Ilias Hronopulos, drejtor i drejtorisë së shtetasve të huaj dhe emigracionit, Athinë A; Dhimitris Siamatras, drejtor i drejtorisë së gjendjes civile në administratën e decentralizuar të Atikës; Angelos Sirigos, pedagog në Universitetin Pantios, ish sekretar i përgjithshëm për emigracionin në ministrinë e brendshme; Vasilis Hronopulos, përgjegjës i seksionit të të drejtave të njeriut, PASOK; Fatos Malaj, drejtues i organizatës “Arogji-Përkrahja” dhe ndërmjetës ndërkulturor në drejtorinë e Emigracionit Athinë. Koordinator: Gaston Sanxhaku, përgjegjës i administrimit të www.albanians.gr. Veprimtaria do të zhvillohet të premten, 23 mars 2018, ora 17,00, në godinën e New York College. Adresa: Thesalonikis 286, Kalithea.

Ndaje me miqte