0030 210 33 18 483

Dividenti social Pse mediat greke protestojnë që 7% e përfituesve ishin shqiptarë

Robert GORO 28 Dhjetor 2017

Siç kemi shpjeguar dhe më herët, (kur u komunikuam lexuesve votimin e kësaj mase nga parlamenti, muajin e kaluar), dividenti social (kinoniko merisma), është dhënia qytetarëve e një pjese nga teprica në buxhetin e shtetit. Në kushtet e sotme të Greqisë, ky divident iu dha qytetarëve në nevojë dhe atyre me të ardhura të pakta. Dividenti social këtë vit përfaqëson një shumë prej 720 milionë euro, që iu shpërnda 3,4 milionë qytetarëve, të cilët plotësonin kriteret. Sipas të dhënave zyrtare që u publikuan të mërkurën (27 dhjetor), 7% e përfituesve të dividentit social (rreth 238.000 vetë) ishin emigrantë shqiptarë. 2% ishin emigrantë nga 170 vende të tjera dhe 91% ishin shtetas grekë. Shumë prej mediave greke, por edhe politikanë të Demokracisë së Re, kanë veçuar pikërisht faktin se ishin edhe emigrantët përfitues të dividentit social. Nëse ky veçim bëhej për të argumentuar nivelin e integrimit të emigrantëve, këtu nuk do të kishte asgjë të keqe. Mirëpo titujt kanë një konotacion alarmant, thua se qeveria kishte bërë një krim duke përfshirë ndër përfituesit edhe shtetasit e huaj që jetojnë në Greqi dhe përmbushnin kriteret e vendosura nga ligji. Ja disa tituj domethënës: -Divident social për indianë, egjiptianë, shqiptarë dhe ... gjermanë! (protothema.gr). -Zbulim: Edhe të huaj nga 172 vende morën dividentin social. (iefimerida.gr) -Dividenti social: me origjinë jo greke 1 ndër 10 përfituesit. (zougla.gr) Një përgjigje të prerë ndaj gjithë këtij “kori”, e dha ministri i shtetit Kristoforos Bernardakis, me anë të një statusi në rrjetin social Facebook: “Dividentin social e morën dhe shtetas të huaj. Po, ishte e drejtë e tyre dhe u bë vepër”, shkruan ministri, duke përcjellë këtë të vërtetë të pamohueshme. Por nuk është vetëm kaq. Emigrantët shqiptarë rezultojnë si përfituesit më të shumtë të dividentit. Kjo është normale, jo vetëm pse ata janë numerikisht më të shumtët ndër gjithë emigrantët e tjerë në Greqi, por sidomos sepse janë komuniteti i shtetasve të huaj me kontributet më të mëdha në jetën sociale dhe ekonomike greke. Në tri dekadat e pranisë së emigrantëve shqiptarë në Greqi, janë me dhjetra studimet që e kanë afirmuar dhe vlerësuar këtë rol të veçantë të emigrantëve shqiptarë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve ndodhen këtu bashkë me familjet e tyre. Kjo ka sjellë si rezultat që ata të jenë qeraxhinj (por edhe blerës) të një numri të madh banesash. Të cilat në të kundërt do të vazhdonin të mbeteshin bosh, duke u privuar një shifër goxha të madhe të ardhurash qytetarëve grekë, por edhe buxhetit të shtetit. Një shembull: E zemë se ka 350 mijë familje shqiptare në Greqi, që kanë zënë me qera po aq banesa. Me një mesatare qeraje prej 300 eurosh, dhe me një shumëzim të thjeshtë, i bie që ata të paguajnë brenda një muaji 105 milionë euro. Dhe brenda një viti: 1 miliard e 260 milionë euro. Kjo vetëm për banesat. Pa shtoni shpenzimet për konsum të përditshëm, korrentin, ujin, lëvizjet me transportin publik apo makinat e tyre. Shtojini paratë e paguara nëpër vite si “paravolo” për lejen e qëndrimit. Shtojini paratë e paguara nga xhepi për sigurimet shoqërore (IKA), të cilat askush nuk e di nëse një ditë do të konvertohen në dobi të tyre. Plus dhe taksat që kanë paguar këto 16 vjet që po zbatohet ligji për lejet e qëndrimit. Shifra që do të dilte rezulton të jetë me të vërtetë kolosale. Sigurisht, emigrantët nuk kanë bërë ndonjë trimëri duke paguar kaq shumë taksa e kontribute për siguracionet. Ata kanë kryer obligimin dhe detyrimin e tyre si qytetarë të një shtetit që funksionon në bazë të ligjeve të caktuara (ani pse ata vetë heqin të zitë e ullirit për të marrë atë të shkretë leje qëndrimi!). Mirëpo, kush ka detyrime, ka edhe të drejta. Dhe një nga këto të drejta është pikërisht përfitimi i dividentit social. Atij 7 për qindshi nuk është se iu bë ndonjë privilegj; morën atë që iu takonte. Në kohën që u takojnë dhe shumë gjëra të tjera dhe nuk i përfitojnë, pikërisht sepse nuk janë shtetas grekë. Pikërisht këtë mund të prisnim që të vinte në dukje një shtyp me të vërtetë demokratik, siç pretendojnë të jenë edhe ato mediat që përmendëm më lart. Por ato nuk e bënë këtë gjë. Sepse në vite kanë treguar që kanë një kut të mbrapshtë që të huajin e paraqet vazhdimisht si diçka të keqe, diçka të dorës së dytë që duhet të ketë vetëm detyrime e asnjë të drejtë. Duke harruar se një pjesë e mirë e grekëve janë emigrantë apo vazhdojnë sot të emigrojnë në vende të tjera, banorët e të cilëve nuk i konsiderojnë si të huaj grekët dhe gjithë të tjerët... Po e mbyll këtë shkrim me një tjetër status mbi reagimin e mediave. I përket eurodeputetit grek të SYRIZA-s, Dimitris Papadimoulis, nënpresident i Parlamentit Europian: “Shumë mirë që dividentin social e morën gjithë ata që jetojnë në Greqi dhe përmbushin kushtet e ligjshme si dhe kriteret sociale që u vendosën. Logjika “divident social vetëm për grekët”, vjen era racizëm”... Robert Goro

Ndaje me miqte