Dombrovskis i Komisionit Europian: Greqia në rrugë të mbarë
Tribuna
12 Dhjetor 2017
Gjërat me Greqinë “ndodhen në rrugë të mbarë”, vuri në dukje zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis. Njëkohësisht, zyrtari i lartë europian shprehu parashikimin se “diskutimi për lehtësimin e borxhit grek do të fillojë para përfundimit të programit të shpëtimit”.
Duke folur me gazetarë grekë gjatë takimit për Klimën në Paris, Dombrovskis u paraqit optimist për një finalizim të shpejtë të inspektimit të tretë të programit dhe për arritjen e objektivit për suficit fiskal. Siç transmeton televizioni ERT, ai nënvizoi se “gjërat ndodhen në rrugën e duhur për realizimin e kërkesave të kreditorëve. “Po shohim se Greqia po i arrin dhe madje po i tejkalon objektivat fiskalë dhe duket se do të arrijë objektivin për suficit fiskal 3,5% në 2017”, vuri në dukje numri dy i KE.
“Po vërejmë një përkushtim të fuqishëm dhe një qëndrim shumë konstruktiv nga ana e qeverisë greke dhe në këtë kuadër do të thoja se ka mundësi të finalizojmë shpejt inspektimin e tretë”. Lidhur me atë se sa është e mundshme “dalja e pastër” e Greqisë nga programi i shpëtimit që përfundon në gusht 2018, Dombroskis tha se partnerët europianë do ta ndihmojnë Greqinë për këtë, pas përfundimit të inspektimit.
Sa i përket pyetjes se ku gjenden diskutimet për lehtësimin e borxhit grek, zëvendëspresidenti i Komisionit Europian tha se “para përfundimit të programit të [shpëtimit] do të hapet diskutimi për masat e lehtësimit të borxhit në horizont afatshkurtër dhe afatmesëm e afatgjatë”.
Ndaje me miqte