Dorëhiqet kreu i Parandalimit e Pastrimit të Parave Alket Hyseni
ATSH
16 Shkurt 2017
Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Alket Hyseni dha të enjten dorëheqjen nga ky post, ndërsa siç raportohet në media, Hyseni tha se arsyet lidhen me sulmin që i është bërë kohët e fundit, nga persona që nuk duan të zbatohet reforma në drejtësi.
Më herët ai mbante postin e kreut të Task-Forcës për Pronat në Kryeministri. Hyseni u emërua në krye të DPPPP-së në qershor të vitit 2016. Ai zëvendësoi në këtë detyrë Gent Gazhelin i cili u emërua në postin e Ambasadorit në Turqi.
Tre ditë më parë nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama u zhvillua Mbledhja e Komitetit të Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave.
Komiteti mori në shqyrtim dhe miratoi raportin e veprimtarisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) të paraqitur nga Hyseni.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të DPPPP-së, gjatë vitit 2016 janë bllokuar afro 29 milion euro nëpërmjet 61 urdhrave administrativ të DPPPP, që shënon një rritje të ndjeshme krahasimisht edhe me vitin pararendës (2015) kur janë bllokuar rreth 16 milion euro nëpërmjet 47 urdhrave.
Ndaje me miqte