0030 210 33 18 483

Dy të vdekur nga tërmeti në ishullin Kos

Tribuna 21 Korrik 2017

Lëkundje të fuqishme tërmeti kanë tronditur mesnatën e të premtes ishullin grek Kos, në pjesën juglindore të detit Egje. Dy persona kanë gjetur vdekjen, ndërsa numri i të plagosurve raportohet të jetë më shumë se 100. Sipas mediave lokale, viktimat humbën jetën pasi prej lëkundjeve të tërmetit u rrëzua çatia e një bari. Tërmeti, me magnitudë 6,4 gradë të shkallës Rihter u shënua në orën 01,31. Epiqendra është lokalizuar në zonën detare midis ishullit Kos dhe qytetit turistik turk, Bodrum. Dëme të shumta materiale janë evidentuar sidomos në qendër të ishullit, ku janë shkatërruar kryesisht objekte fetare. Dëmtime të mëdha ka pësuar gjithashtu edhe porti i ishullit, ku trageti i linjës nga Pireu nuk mundi të ankorohej. Banorët dhe turistët që gjenden në ishull e kaluan natën përjashta, nga frika e lëkundjeve metasizmike që pasuan. Sizmologët kanë paralajmëruar se këto lëkundje do të vazhdojnë me javë, prandaj këshillojnë që njerëzit të bëjnë shumë kujdes e të mos qëndrojnë në banesa të vjetra. Kos është ishulli i tretë më i madh i Dodekanezit dhe një nga më të frekuentuarit prej turistëve vendas dhe të huaj.

Ndaje me miqte