0030 210 33 18 483

E përmirësuar situata me zjarret në Atikë. Rrezikshmëri e madhe edhe të mërkurën

Tribuna 16 Gusht 2017

Situata e zjarreve në Atikë është paraditen e të mërkurës shumë më e mirë nga ditët e mëparshme. Sipas shërbimit zjarrfikës, aktualisht ka vetëm vatra të vogla, të cilat po menaxhohen, ndërsa skuadra zjarrfikës po veprojnë në zonën midis Kapandritit dhe autostradës, me qëllim që ta kufizojnë zjarrin e mos ta lejojnë të rrezikojë aksin rrugor. Që në orët e para të mëngjesit, dy avionë dhe tre helikopterë po fluturojnë mbi vatrat e zjarrit duke hedhur ujë që të evitojnë riaktivizimin e tyre. Gjithsesi, shërbimi zjarrfikës pret me shqetësim pasditen, kur intensiteti i erërave do të forcohet ndjeshëm. Situata është vënë nën kontroll edhe në rrethin e Ilias, ku dje ishte evakuuar fshati Peristeri, ndërsa një helikopter po patrullon dhe po kryen hedhje uji, me qëllim parandalimin. Sipas shërbimit të emergjencave civile (Politiki Prostasia), edhe e mërkura, 16 gusht, është një ditë me rrezikshmëri të lartë, sa i përket mundësisë së shpërthimit të zjarreve. Zonat me rrezikshmëri më të lartë (niveli 4), janë: -Periferia e Atikës -Periferia e Greqisë Kontinentale (Viotis, Evia), -Periferia e Peloponezit (Korinth, Argolidha), -Periferia e Kretës, -Periferia e Egjeut Verior (Lesvos, Hios, Samos, Ikaria), -Periferia e Egjeut Jugor.

Ndaje me miqte