EKSKLUZIVE/ Argumentet e palës greke kundër anulimit të Paktit Detar
17 Qershor 2015
Edi Rama ka dhënë një sinjal të ri për zgjidhjen e çështjes që rëndomë kumtohet si “Pakti Detar me Greqinë”. Në një intervistë televizive, kryeministri shqiptar ka shprehur ndër të tjera gatishmërinë për të shqyrtuar një mënyrë që do të ndihmonte zhbllokimin e ngërçit.
“Jemi praktikisht para një situate shumë të brishtë, por padyshim për ne është një çështje e interesit kombëtar, e sovranitetit territorial të Shqipërisë dhe do diskutohet për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme dhe që në krye të herës ne kemi qenë të gatshëm të përfshijmë një palë të tretë të painteresuar drejtpërdrejt siç jemi ne dhe Greqia, dhe të bazuar në një ekspertizë të lartë ndërkombëtare”, tha Rama, duke folur në emisionin “Studio e hapur” në News 24.
Kjo deklaratë e re ndryshon cilësisht nga një deklaratë që Edi Rama kishte bërë plot dy vjet më parë (menjëherë pas fitos së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013), për gazetën greke, “Kathimerni”, kur kishte thënë: “Do të duhet të diskutojmë dhe të gjejmë mënyrën e drejtë për zhbllokimin (e marrëveshjes), me respekt të plotë ndaj pikëpamjeve të njeri-tjetrit, por njëkohësisht me gjithë vullnetin e mirë që e ardhmja jonë e përbashkët kërkon nga të dy palët”.
Duket se “respekti ndaj pikëpamjeve të njeri-tjetrit” u dëshmua gjatë këtyre viteve si joproduktiv, përderisa ishte e qartë se çdonjera nga palët këmbëngulte në pikëpamjet e veta. Tashmë, kryeministri shqiptar bën një hap më përpara dhe propozon një farë “arbitrimi” ndërkombëtar, gjë që fare mirë mund ta kishte bërë edhe në vjeshtë të 2009-s, para se të depozitonte ankimimin kundër Marrëveshjes, në Gjykatën Kushtetuese.
Deklarata e kryeministrit shqiptar erdhi vetëm pak ditë pasi ministri i jashtëm grek kishte bërë të ditur se ka ndërmend t’i propozojë Tiranës një zgjidhje “paketë” për gjithë çështjet e nxehta në raportet dypalëshe - paketë ndërkaq që deri në këto momente mbetet e panjogur sa i përket përmbajtjes. Dhe gjasat më të shumta janë që përkimi kohor i dy deklaratave të jetë vetëm jë koincidencë e rastit.
Gjithsesi, duhet pritur edhe reagimi i Athinës zyrtare ndaj idesë së re që hodhi Edi Rama, pra për “arbitrimin” (e jo arbitrazhin).
Në rast se edhe pala greke e pranon këtë ide (që personalisht mendoj se nuk ka për ta pranuar), atëherë të dy palët do të parashtrojnë, -të ulur në dy krahët e palës së tretë- secila argumentet e veta.
Logjikisht, Tirana do të paraqesë argumentet mbi të cilat Gjykata Kushtetuese vendosi anulimin e Marrëveshjes. Argumente për të cilat publiku shqiptar ka një njohuri mëse të mjaftueshme.
Prandaj mendoj se ka shumë interes të dime edhe argumentet e palës greke.
Në fakt, përtej deklaratave me përmbajtje rreptësisht politike, nuk janë prononcime me natyrë teknike-juridike, nga ana e ekspertëve grekë. Një përpjekje e imja për të marrë pronocime të tilla,- gjatë kohës që po përgatisja dokumentarin “Greqi-Shqipëri, (Mos)marrëveshja për kufirin detar” (transmetuar në ABC NEWS në nëntor 2013)-, dështoi. Kërkova një opinion zyrtar mbi detajet juridike të marrëveshjes dhe argumentet e anulimit. Kërkova madje të flisja edhe me pjesëtarë të delegacionit grek në negociatat, por ata rezervoheshin nga statusi i nëpunësit civil, si dhe nga konfidencialiteti i negociatave.
Megjithatë, në Greqi u botua tash së fundi një libër që mendoj se zbardh plotësisht pikëpamjen e palës greke mbi marrëveshjen e 2009-s, por edhe, sidomos, mbi anulimin e shpallur nga gjykata kushtetuese. Libri titullohet “Zonat detare greke dhe delimitimi me shtetet fqinje”. Interesimi rreth këtij libri rritet edhe më shumë, për shkak të autores. Eshtë Anastasia Strati, një studiuese dhe eksperte e njohur e të drejtës së detit, e cila për më tepër, ishte anëtare e delegacionit grek në negociatat me palën shqiptare.
Athina: Anullimi i marrëveshjes, pa bazë dhe i paargumentuar juridikisht
Në librin e vet, zonja Strati, ka një kapitull të posaçëm mbi marrëveshjen për delimitimin me Shqipërinë, dhe prezanton argumentat e veta, sipas të cilave, anullimi i marrëveshjes nga gjykata kushtetuese e Shqipërisë, është pa bazë dhe i paargumentuar juridikisht.
Ekspertja greke ka marrë me radhë argumentet e paraqitura në vendimin e gjykatës kushtetuese të Shqipërisë, dhe i ka ballafaquar me kundër argumentet e veta, që mund të jenë edhe argumentet zyrtare të palës greke.
1.Ndaj arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, për mospajisje e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes, ekspertja greke parashtron arsyetimin e vet.
Sipas Konventës së Vienës për të Drejtën e Traktateve, mungesa e plotfuqisë nuk përbën arsye për anullimin e një marrëveshjeje. Aq më tepër që në krye të delegacionit shqiptar në negociata ishte sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Ndërsa Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i jashtëm në prani të Kryeministrit. E njëjta procedurë u ndoq edhe në negociatat e Shqipërisë me Italinë, pa u shtruar edhe për këtë çështja e antikushtetutshmërisë.
2.Sa i përket referimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, lidhur me mangësit serioze në përmbajtjen e marrëveshjes, zonja Stratis vëren:
Në kuadër të marrëveshjes u ra dakord që të përllogaritet vija e mesit në bazë të vijës bregdetare natyrore, përfshirë gjirin e Korfuzit, në rastin e të cilit përmbusheshen kriteret e nenit 10 të Konventës për të Drejtën e Detit. Përkundrazi, gjiri i Sarandës nuk mund të trajtohet si gji me statusin e ujrave të brendshme.
3.Një tjetër arsye në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipëërisë lidhet me Moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm.
Por edhe këtu Staratis e ka përgjigjen gati:
Parimi i baraslargësisë përbën metodën bazë për delimitimin e zonave detare, ashtu siç njihet nga jurisprudenca ndërkombëtare. Në rastin konkret, pas një shkëmbimi esencial pikëpamjesh, të dy qeveritë konkluduan bashkarisht në marrëveshje e cila bazohet në dispozitat e të Drejtës Ndërkombëtare dhe në një rezultat të ndershëm, që u zyrtarizua me nënshkrimin e marrëveshjes.
4.Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, nënvizon se gjatë hartimit të marrëveshjes nuk janë marrë parasysh ishujt si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.
(Gjykata Kushtetuese i referohet si precedent, marrëveshjes Shqipëri-Itali të arritur në 1991, ku u përdor vija e mesit strikte, pasi brigjet e dheut kontinental ishin përballë dhe në distancë të konsiderueshme dhe në hapërsirat detare mes tyre nuk kishte ishuj apo rrethana të tjera që duhej të merreshin në konsideratë sipas dispozitave të Konventës së OKB për të Drejtën e Detit.
Por zonja Strati thotë se metodologjia e përdorur në marrëveshjen me Italinë, nuk vlen për atë me Greqinë: Ekspertja greke thotë se në Marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë, gjatë hartimit të vijës së mesit u bënë disa korrigjime të vogla e pa shumë rëndësi. Por kjo nuk vlen në rastin e Marrëveshjes Shqipëri-Greqi: këtu vija e mesit u përcaktua në mënyrë strikte, duke garantuar një rezultat të ndershëm (dhe përmbushur parimin e Etikesë - Equity), dhe duke njohur ndikimin e plotë në të gjithë ishujt, përfshirë edhe atë Otonoi. Ky rregullim është shumë i rëndësishëm pasi, pjesa e mbetur e delimitimit Greqi-Shqipëri, aq edhe delimitimi i shelfit kontinental Greqi-Itali, influencohen nga ishulli Otonoi.
Si konkluzion, nënvizon ekspertja greke: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për antikushtetutshmërinë e Marrëveshjes se delitimit Greqi-Shqipëri, është i pabazë dhe i paargumentuar juridikisht.
Zhbllokimi i paktit sjell zhvillime impresionuese
Sigurisht, duhet dikush me qenë ekspert dhe madje me përvojë që të pozicionohet ndaj njerit apo tjetrit argumentim, dhe detyra e gazetarit nuk është të bëjë rolin e arbitrit, por veç të informojë.
Gjithsesi, do të kishte interes të jashtëzakonshëm nëse këto argumente dhe kundërgumente ballafaqoheshin para një arbitri të paanshëm, “të painteresuar drejtpërdrejtë”.
Sepse, më tepër se problem politik, zhbllokimi dhe aktivizimi i kësaj marrëveshjeje, pritet të ketë zhvillime impresionuese , që do të forcojnë pozitën e Shqipërisë dhe Greqisë, në hartën energjitike globale.
Tashmë, ka shenja të qarta se nëndeti që lag të dy vendet fqinje, fsheh pasuri të paçmuara hidrokarburesh. Që pritet të zbulohen e të shfrytëzohen, në një botë që është përherë e më e ndërvarur nga burimet alternative të energjisë.
Robert Goro
Ndaje me miqte