0030 210 33 18 483

Edicioni i lajmeve 18 janar 2018

Tribuna 18 Janar 2018

Më poshtë vijojnë lajmet kryesore të paradites dhe parashikimi i motit për të enjten, 18 janar 2018. GREQIA * Vasilis Stefanakos, një person i njohur i botës së krimit në Greqi, ka mbetur i vrarë, pasi persona të panjohur e qëlluan me breshëri automatiku ndërsa ndodhej në makinën e tij të markës BMW. Stefanakos, i cilësuar si një nga krerët e mafies greke, kishte dalë nga burgu para disa kohësh, duke përfituar nga dispozitat favorizuese të një ligji që u miratua kohët e fundit. Stafanakos njihet veç të tjerash edhe për lidhjet e tij me të burgosurin e famshëm shqiptar Alket Rizai. * Pas valës së tërmeteve në afërsi të Athinës, gjithë godinat e institucioneve publike do të duhet të kontrollohen. Kështu ka deklaruar kreu i komisionit të vlerësimit të rreziqeve sizmike, profesor Konstantinos Markopulos. Sipas tij, numri i këtyre godinave ishte 85.000 dhe deri tani janë kontrolluar rreth 25.000 prej tyre. * Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka deklaruar se ka forca politike që nuk dëshirojnë sukesin e qeverisë. Por Tsipras ka shtuar se, ndërkaq, qeveria ka farkëtuar aleanca të rëndësishme në kuadër të BE, që duhen shfrytëzuar me qëllim që të arrihet dalja nga programi i shpëtimit në gusht 2018. * Nevojën e ndryshimit të politikës, me reduktim të taksa tatimeve dhe përshpejtim të reformave, ka nënvizuar kreu i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, duke folur para këshillit drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Athinës. SHQIPERIA * Patrullimet e sinkronizuara të shërbimeve policore me qëllim parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale ndërkufitare, ishte në fokus të takimit që zhvilloi sot në Kapshticë, Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtuese e Lartë Aida Hajnaj me Drejtoreshën e Përgjithshme të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në policinë greke, Gjeneral Lejtnant Zaharoula Tsirigoti. * Qeveria shqiptare ka marrë kërkesën zyrtare për ndërtimin e aeroportit të ri Kombëtar të Vlorës. Lajmin e ka bërë të ditur, kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në facebook, teksa është shprehur se, “kemi kërkesën zyrtare për investimin e madh të aeroportit të ri kombëtar të Vlorës. Nga ana e saj Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, sqaron se “Oferta është paraqitur nga një konsorcium i tre kompanive: Cengiz Construction; Kalyon Construction; Kolin Construction”. * Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestën e 27 janarit për të bërë të mundur heqjen e pengesës së fundit për integrimin europian të vendit, Edi Ramës. “Rruga për t’i thënë jo, aleancës në pushtet, rruga për t’i thënë ndal të keqes fillon më 27 janar, por nuk ndalon derisa ta mposhtim”, u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike. RAJONI * Policia e Kosovës tha se po vazhdojnë hetimet lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç, i cili u qëllua një ditë më parë me armë zjarri në veriun e Mitrovicës. Oliver Ivanoviç i cili udhëhiqte nismën qytetare serbe, "Liria, Demokracia, Drejtësia", u qëllua para zyrës së tij në mëngjesin e së martës. Oliver Ivanoviç ishte në pritje të rigjykimit nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile. Në janar të vitit 2016, një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me nëntë vjet heqje lirie nën akuzat për “krime lufte kundër popullatës civile”. Në muajin shkurt të vitit 2017, çështja u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në Kosovë. * Presidenti i Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i ka kthyer mbrapsht parlamentit ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Ivanov tha se nuk e dekreton ligjin, pse sipas tij, “është antikushtetues dhe i rrezikshëm për integritetin e vendit”. Gjithsesi, në rast se parlamenti e voton sërish ligjin -çka konsiderohet më e mundshmja-, Ivanov është i detyruar ta dekretojë. * Kanë rifilluar në Nju Jork negociatat midis Greqisë dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, për çështjen e emrit. Negociatori i OKB-së, Matthew Nimetz, u ka prezantuar të dy palëve një paketë idesh, ndërsa ka shprehur optimizmin se procesi po lëviz në drejtimin pozitiv. * NATO do t’i drejtojë ftesë për anëtarësim IRJM, përderisa arrihet një zgjidhje reciprokisht e pranueshme në çështjen e emrit, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i organizatës, Jens Shtoltenberg, para mbërritjes së tij në Shkup. BOTA * Të paktën 52 persona kanë humbur jetën mëngjesin e të enjtes, pasi një autobus u përfshi nga flakët në Kazakistan. Pesë persona të tjerë arritën të shpëtonin me lëndime. Nuk dihet ende shkaku i zjarrit. * Kampionati Botëror i Futbollit, që do të zhvillohet verën e sivjetme në Rusi, është objektiv i mundshëm i xhihadistëve të Shtetit Islamik. Ky vlerësim përfshihet në raportin e qendrës së analizave për terrorizmin të revistës Jane’s (JTIC). Pjesëmarrja në këtë Botëror e vendeve si Arabia Saudite dhe Irani, u jep një stimul edhe më të madh xhihadistëve që të vënë në shënjestër këtë kampionat, vëren raporti. SPORTI * Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe do të vazhdojë karrierën e tij te Panathnaikos. Kaçe dhe bashkëlojtari i tij Konstantinidis janë pjesë e marrëveshjes së arritur midis PAOK-ut dhe “jeshilëve”, për huazimin e qendrëmbrojtësit brazilian Rodrigo Moledo. Veç dy lojtarëve të PAOK-ut, Panathinaikosi do të marrë nga “bardhezinjtë” edhe 300.000 euro. MOTI * Reshje shiu, shtrëngata sporadike dhe reshje dëbore kalimtare në zonat malore dhe kodrinore. Temperatura në Athinë, 14 gradë celsius, në Selanik, 8 gradë.

Ndaje me miqte