0030 210 33 18 483

Eklipsi i plotë i diellit nga mitet e antikitetit deri më sot!

ATSH 24 Gusht 2017

ATSH-ANSA/ - Me eklipset diellore nuk është bërë asnjëherë shaka. Të paparashikueshëm dhe të pakuptueshëm, hijet e dritës mbi planet kanë qenë, që nga antikiteti deri më sot, më shumë shenjë e lajmeve të këqija se sa atyre të mira. Fatkeqësi në ardhje nga të cilat duhet të mbrohesh me çdo kusht. Ndërsa në ditët e sotme miliona persona vraponin nëpër rrugët e SHBA-së për të parë eklipsin e plotë të shekullit. Për indianët Chippewa të amerikës veriore duhet të ndizet dielli me çdo kusht dhe shigjetat që lëshoheshin nga tributë me drejtim të qielli fitonin gjithnjë, pasi kalonte plot mister eklipsi. Beteja e tartarëve të Siberisë ishte kundër një vampiri të keq, që pasi fuste diellin në gojë, pa pritur i digjej gjuha dhe e nxirrte menjëherë. Më pragmatikë ishin kinezët antikë që godisnin si të çmendur daullet, tavat dhe çdo gjë që kishin në dorë, për të trembur dragojnë që hanin diellin. Ndërsa më paqësore ishte strategjia Hindu që për t’i dhënë forcë yllit diellor që të luftonte monstrat që e gëlltisnin, laheshin në lumin e fuqishëm dhe pastrues Gang. Për tributë e Alaskës, eklipsi ishte shenjë e një dielli të sëmurë. Kështu që më mirë të fshihje çdo mjet të kuzhinës dhe veten nga ato rreze të çuditshme për të evituar që të infektoheshe. Më të gëzueshme ishin interpretimet fantazmagorike të disa tribuve aborigjene, Tlingit të Australisë, që imagjinonin diellin dhe hënën të dashuruar në një përqafim të shkurtër, të fshehur pas një tende modeste të ulur pikërisht për këtë arsye. Ndërsa për aborigjenët e Guajanës bëhej fjalë për historinë e rivalitetit mes vëllait Diell dhe motrës Hënë. Errësira e eklipsit tregonte se njeri prej tyre ishte nxjerrë jashtë, duke i lënë vendin vetëm tjetrit. Pa drithërrima frike është fantazia e tribusë kanadeze “Bella Cola” që sipas të cilës dielli humbet dritën sepse është i pakudesshëm dhe humbet përqëndrimin duke i rënë pishtari që ka gjithnjë në dorë. Por Actekët janë më të egër, që sipas disa historianëve bënin sakrifica njerëzore për të parandaluar eklipset diellore. Por edhe sot, në muajt madje edhe orët që i paraprinin këtij eventi qiellor të vitit 2017, shumë kanë dhënë këshilla dhe ftesa për t’u ruajtur. Praktikues të teorive të shenjta, profetë të kurave energjetike, astrologë dhe persona të thjeshtë predikojnë se nuk është mirë të rihet përjashtë gjatë eklipsit. Ndryshimi në elektromagnetizmin atmosferik mund të shkaktojë dëme. Më mirë atëherë të ulen tendat dhe grilat, të qëndroni në shtëpi. Nëse është e mundur edhe të agjëroni, të mbyllni sytë dhe me kokën mbi një jastëk të butë, këmbë mbi këmbë, të meditoni mbi mrekullitë e universit.

Ndaje me miqte