0030 210 33 18 483

Eksarhia 9 shtetas shqiptarë arrestohen në një operacion gjigand të policisë

TRIBUNA 13 Korrik 2016

Policia greke ka asgjesuar pas një operacioni gjigand një grup kriminal që trafikonte drogë në qendër të Athinës. 9 shtetas shqiptarë, mes të cilëve edhe kreu i bandës, katër shtetas grekë dhe një polak janë vënë në pranga, ndërsa tre shtetasa të tjerë shqiptarë janë shpallur në kërkim. Operacioni në zonën Eksarhia zhvilluar në mënyrë të fshehtë dhe në të kanë marrë pjesë më shumë se 100 forca speciale të policisë. Operacioni ka qenë kaq i rëndësishëm, sa që përfundimin e tij e deklaroi në parlament ministri grek i rendit. “Një operacion i tillë kishte 30 vjet që nuk ishte organizuar”, tha ministri i rendit Nikos Toskas dhe shtoi: “U asgjësua një bandë në të cilën ishin pjesëtarë jo trafikantë të vegjël, por duket se është diçka më serioze”. Ndonëse arrestimet e kryen gjatë të hënës, policia publikoi detaje vetëm të martën pasdite. Sipas policisë, grupi kriminal kishte të paktën shtatë vjet që vepronte dhe ishte shndërruar në tmerrin e zonës. Policia tha se kishte gjetur dhe sekuestruar 17,5 kg kanabis, shumica e të cilit e paketuar në më shumë se 3 mijë qese plastike, gati për shitje. U sekuestruan gjithashtu 155 gramë kokainë, një pistoletë dhe 27 fishekë, 4.415 euro, dy automjete dhe dy motoçikleta. Sipas policisë, grupi vepronte si një ndërmarrje tregtare e mirorganizuar, dhe droga mbahej e magazinuar në vende fare pranë sheshit Eksarhia, me qëllim që të disponohej në çdo moment. Një nga rrugët për të legalizuar paratë e fituara nga trafiku i drogës, ishte blerja e biletave fituese në lojërat e fatit apo bastet sportive. U gjetën 208 fatura të tilla, me një vlerë më shumë se 162 mijë euro. Zona Eksarhia njihet si bazë e grupeve anarkiste, që janë protagonistë në përleshjet me forcat e policisë dhe vandalizma në qendër të Athinës gjatë protestave që zhvillohen në kryeqytet. Të arrestuarit tani po hetohen edhe për implikim të mundshëm në akte të tilla, që janë një fenomen thuajse i përnatshëm. Tribuna

Ndaje me miqte