0030 210 33 18 483

Eksportet drejt Greqisë u rritën me 34.5 %

ATSH 04 Tetor 2016

Eksportet shqiptare drejt Greqisë në muajin gusht u rritën me 34.5 % dhe rritje me 12.1 % patën edhe importet. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, INSTAT, shkëmbimet tregtare me Greqinë në muajin gusht të 2016-ës zunë 7.4 % të totalit të gjithë tregtisë. Referuar të dhënave, importet e mallrave nga Greqia në Shqipëri, gjatë periudhës janar-gusht 2016 arritën në rreth 29.838 milionë lekë, kur një vit më parë (2015) u importuan 29.263 milionë lekë. Në vlerën e mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave “ushqim, pije dhe duhan” në vlerën 9.682 milionë lekë i ndjekur nga grupi “produkte kimike dhe plastike” në vlerën 5.057 milionë lekë dhe grupi “materiale ndërtimi dhe metale”. Importi i kësaj kategorie arriti për këtë periudhë vlerën e 4.335 milionë lekëve. Referuar të dhënave, eksportet shqiptare gjatë tetëmujorit të këtij viti drejt Greqisë llogariten në vlerën e 7.313 milionë lekëve. Në vitin 2015 në periudhën janar-gusht, eksportet nga Greqia llogariteshin 6,085 milionë lekë. Greqia vazhdon të mbetet investitori më i madh i huaj në ekonominë shqiptare. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të dytë vlera e aseteve që kompanitë greke zotërojnë në ekonominë shqiptare ishte 1 miliardë e 253 milionë euro, ose sa 24 për qind e totalit të investimeve të huaja në Shqipëri.

Ndaje me miqte