0030 210 33 18 483

Eurogrupi: 103 miliardë euro për Greqinë dhe masa për lehtësimin e borxhit grek

25 Maj 2016

Ministrat e financave të eurozonës kanë arritur një marrëveshje për lehtësimin e borxhit grek, si dhe çlirimin e 10,3 miliardë eurove nga kredia e akorduar për shpëtimin e Greqisë. Pas 11 orë diskutimesh, ministrat kanë vendosur që transhi i kredisë të jepet në disa duar dhe pjesa më e madhe, me vlerë 7,5 miliardë euro të disbursohet në muajin qershor. Këto fonde do të përdoren për shërbimin e borxhit, ai dhe për shlyerjen e detyrimeve të shtetit ndaj biznesit privat. Pjesa tjetër do të jepet muajt e ardhshëm, dhe pasi Greqia të përmbushë disa kushte paraprake. Presidenti i Eurozonës, Jerun Dijsselbloem, deklaroi pas mbledhjes se është arritur marrëveshje edhe në çështjen e borxhit grek. Sipas tij kjo zgjidhje do të jetë në tri faza, me masa afatshkurtër dhe afatmesme, por edhe një mekanizëm në plan afagjatë. Të gjitha palët shprehën kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes. Presidenti i Bashkimit Europian, Donald Tusk, tha se “është një mesazh i fuqishëm stabiliteti për Greqinë, Europën, por edhe për ekonominë botërore”. Shefi i departamentit për Europën i Fondit Monetar ndërkombëtar, Paul Thomsen, nënvizoi faktin se “të gjithë e pranojnë që Greqia nevojitet lehtësim të borxhit të vet dhe se ky borxh nuk mund të bëhet i qëndrueshëm vetëm me përpjekjet e Greqisë”. Thomsen shtoi se FMN do të vazhdojë të jetë pjesë e programit grek të shpëtimit, por e kushtëzoi këtë me dy hapa: Një analizë e re për qëndrueshmërinë e borxhit grek dhe shqyrtimi i masave për borxhin që u vendosën në takimin e Eurogrupit. Ministri grek i financave, Euklidis Tsakalotos, theksoi se “ishte një moment i rëndësishëm për Greqinë”. “Eshtë fillimi i fundit për recesionin në Greqi. Fondi që do të disbursohet do të zbusë efektin e tkurrjes ekonomike për shkak të masave që morëm”, shtoi Tsakalotos. Për të arritur deri në marrëveshjen e fundit, qeverisë greke iu desh të votojë të dielën një tjetër paketë masash të ashpra. Gjë që ka shtuar pakënaqësinë e qytetarëve, por edhe debatet brenda partisë SYRIZA të kryeministrit Aleksis Tsipras. Por ky i fundit ka argumentuar se masat ishin të nevojshme. Tribuna

Ndaje me miqte