Eurogrupi anulon mbështetjen financiare ndaj Greqisë
27 Qershor 2015
Ministrat e financave të Eurozonës kanë anuluar mbështetjen financiare ndaj Greqisë, pas shpalljes së vendimit të kryeministrit Aleksis Tsipras për të shkuar në referendum. Ministrat shprehin keqardhjen nga fakti se qeveria greke ndërpret “në mënyrë të njëanshme” negociatat dhe refuzon propozimin që i paraqitën institucionet.
E gjithë deklarata e Eurogrupit, që u nënshkrua nga gjithë ministrat me përjashtim të atij të Greqisë Janis Varufakis - që nuk pranoi-, dhe u shpërnda të shtunën, rreth orës 19,00, ka si më poshtë:
“Nga marrëveshja e 20 shkurtit e Eurogrupit për zgjatjen e programit grek, negociata intensive u zhvilluan midis institucioneve dhe autoriteteve greke për të konkluduar me sukses inspektimin. Nisur nga ngërçi i tejzgjatur në negociata dhe sisuatën emergjente, institucionet paraqitën një propozim të kompletuar që kishte kushte, por duke përdorur edhe elasticitetin.
Për fat të keq, me gjithë përpjekjet në të gjitha nivelet dhe mbështgetjen e plotë të Eurogrupit, ky propozim u refuzua nga autoritetet greke, duke ndërprerë në mënyrë të njëanshme negociatat më 26 qershor.
Eurogrupi anulon mbështetjen financiare të Greqisë të viteve të fundit. Eurogrupi ishte i hapur deri në momentin e fundit për të mbështetur më tej popullin grek me një program në vazhdimësi të orientuar drejt zhvillimit ekonomik.
Eurogrupi merr në konsideratë vendimin e qeverisë greke për ta shtruar propozimin në referendum më 5 korrik, domethënë pas përfundimit të programit aktual. Ndihma financiare aktuale për Greqinë do të përfundojë më 30 qershor 2015.
Autoritetet e Eurozonës janë të gatshme të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar stabilitetin financiar të Eurozonës”, përfundon deklarata e ministrave të financave të zonës së euros.
Ministrat e eurozonës takohen pa praninë e homologut grek
Ministrat e financave të Eurozonës po diskutojnë mbi masat që do të marrin, pas refuzimit të qeverisë greke që të pranojë paketën e propozuar nga kreditorët. Kreu i Eurozonës, Jeroen Dijsselbloem, doli para gazetarëve pasditen e të shtunës, për të thënë se takimi do të vazhdojë pa praninë e ministrit grek të financave.
Dijsselbloem tha se gjithë ministrat i dhanë përgjigje negative kërkesës së Athinës, që të jepet një shtyrje afati për programin aktual grek, me qëllim që vendi të ketë mundësinë e financimit ndërkombëtar.
Dijsselbloem shtoi se ministrat e financave do të diskutojnë mënyrat për të parandaluar shtrirjen e krizës greke. “Jemi të vendosur të punojmë për të forcuar dhe garantuar kredibilitetin e eurozonës”, tha Dijsselbloem.
“Procesi i negociatave me Greqinë nuk përfundoi kurrë, u ndërpre me përgjegjësinë e Greqisë”, tha shefi i eurozonës. Ai tha se ishte befasuar negativisht nga lëvizja e qeverisë greke për të shpallur referendum dhe shtoi se tashmë i përket parlamentit grek që të vendosë. Dijsselbloem u tha gazetarëve se ai, në përfundim të takimit të së enjtes të Eurogrupit, se porta mbetet e hapur dhe se institucionet janë akoma të gatshme që të vazhdojnë negociatat.
Në të njëjtën kohë me zotin Dijsselbloem, ka dalë në konferencë për shtyp edhe ministri grek i financave, Janis Varufakis. Ai tha se kreditorët nuk i ofruan Athinës një marrëveshje që do të kishte jetë, duke theksuar se ajo paketë nuk do të kalonte në parlamentin grek.
Ndaje me miqte