Europa &ldquoe shokuar&rdquo shton masat e sigurisë
22 Mars 2016
Goditjet terroriste në Bruksel kanë shkaktuar një valë shock-u në gjithë Europën: liderët europianë kanë dënuar sulmet, ndërsa autoritetet në kryeqytetet e kontinentit kanë shtuar në maksimum masat e sigurisë.
Periudha aktuale ka edhe një dimension që e forcon ndiesinë e panikut: Në Europë kanë filluar udhëtimet për festën e Pashkëve Katolike që janë më 27 mars. Një goditje në një aeroport, në periudhën që shtohen ndjeshëm flukset e pasagjerëve, shkakton shqetësim më të madh, siç është e natyrshme. Prandaj dhe masat e sigurisë fillojnë nga pikat e transportit, si aeroportet apo stacionet hekurudhore.
Parisi ishte i pari që e rriti nivelin e gatishmërisë, me prioritet aeroportin Charles de Gaulle. Presidenti Francois Hollande ka mbajtur një takim me kabinetin për të diskutuar sulmet në Belgjikë.
“Terrorizmi ka goditur Belgjikën, por është Evropa ajo që ka qenë shënjestër dhe secili është prekur. Duhet të kuptojmë se sa i madh dhe serioz është kërcënimi terrorist”, ka thënë Hollande.
Sipas ministrit të brendshëm francez, është shtuar me 1.600 policë dhe xhandarë, numri i forcave në “kufi dhe në infrastrukturat e komunikacionit”.
Gjermania deklaroi se po përforcon masat e sigurisë në gjithë kufirin e saj perëndimor (përveç kufirit me Belgjikën, edhe me Francën, Holandën dhe Luksemburgun). Gjithashtu masat e sigurisë u shtuan në aeroportet dhe stacionet hekurudhore të Gjermanisë.
Zëdhënësi i kancelares Merkel tha se “sulmet monstruoze në Bruksel na bëjnë të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar në solidaritet me viktimat dhe të vendosur kundër terroristëve. Ministri i Brendshëm gjerman tha se objektivat e sulmeve, aeroportet dhe metrotë, “tregojnë se në shën jestër ishte jo vetëm Belgjika, por lëvizja e lirë në Europë”. Ai vuri në dukje se nuk ka shenja që ndërlidhin sulmet e Brukselit me Gjermaninë.
Në Holandë, ushtria i ka forcuar masat e sigurisë në aeroportet e vendit, si edhe në kufi, kryesisht në drejtim të Belgjikës. Kryeministri holandez, Mark Rute, tha se qeveria “rekomandon të mos bëhen udhëtime për në Belgjikë”, pas sulmeve të së martës.
Kryeministri britanik, David Cameron, deklaroi se ishte “i shokuar dhe i shqetësuar” nga ngjarjet në Bruksel. “Do të bëjmë ç’të mundemi për të ndihmuar”, shtoi Cameron.
Siguria është rritur në aeroportet Gatwick dhe Heathrow të Londrës, ndërsa Zyra e Jashtme e Britanisë ka këshilluar qytetarët britanikë të shmangin zonat e mbushura me njerëz në Belgjikë.
Edhe në Itali është urdhëruar shtimi i masave të sigurisë në gjithë aeroportet e vendit. Prioritet i jepet aeroportit Fiumincino të Romës, ku gatishmëria u rrit në nivelin maksimal.
Rama: Europa do të ringrihet dhe do ta fitojë në emër të lirisë këtë luftë
Kryeministri Edi Rama dënoi të martën sulmet terroriste në kryeqytetin belg, Bruksel. “Bombat që mbjellin vdekje për të pafajshmit në zemrën e Europës do ta ringrenë Europën për ta fituar në emër të lirisë këtë luftë të re”, shkruan Kryeministri Rama në rrjetin social Facebook.
Tribuna
Ndaje me miqte