0030 210 33 18 483

Europol shkatërron një rrjet kriminal me koordinator shqiptar

04 Dhjetor 2015

Europol ka shkatërruar një rrjet pan-europian kriminal të përfshirë në trafikun e emigrantëve në Bashkimin Evropian me koordinator një shtetas shqiptar. Si rezultat i aksionit të ndërmarrë në 4 shtetet anëtare nën koordinimin e zyrë së Europolit në Hagë, janë arrestuar 23 të dyshuar nga ku 7 në Austri, 13 në Greqi, 2 në Suedi dhe 1 në Mbretërinë e Bashkuar. Trafikantët e identifikuar janë kryesisht me origjinë siriane, greke, por edhe palestineze. Grupi i krimit të organizuar besohet se ka trafikuar emigrantë klandestinë, kryesisht sirianë nga Turqia, duke lehtësuar udhëtimet e tyre nga Greqia në shtetet e tjera anëtare të BE-së nëpërmjet rrugës së Ballkanit : Maqedonisë, Serbisë, Hungarisë, Austrisë, Gjermanisë dhe më tej drejt Europës Veriore. Sipas Europolit, transporti është kryer në përgjithësi nga shtetas grekë, të cilët koordinonin operacionet me një shtetas shqiptar. Shtetasi shqiptar është identifikuar gjithashtu si person që punonte në bashkëpunim të ngushtë me kreun e grupit të krimit të organizuar. Sipas Europolit, ky grup kriminal besohet se ka kontrabanduar rreth 100 emigrantë në ditë që prej vitit 2013. Sipas informacionit të marrê prej shërbimeve tê inteligjencës, përfitimet e grupit kriminal arrijnë rreth 10 milionë euro. Grupi kriminal ka transportuar emigrantë, duke i pajisur me dokumente të falsifikuara udhëtimi dhe strehimi në vende të ndryshme të Bashkiit Europian në shkëmbim të shumave të konsiderueshme parash. Gjatë ditës së operacionit të goditjes së grupit kriminal, udhëheqësi i tij u arrestua nga forcat e policisë së Agjensisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar në një adresë në Liverpul. Ai kishte jetuar më parë në vende të ndryshme evropiane.

Ndaje me miqte