0030 210 33 18 483

Eurozona: Progres në negociatat e kreditorëve me Greqinë

25 Prill 2016

Ministrat e financave të eurozonës kanë konstatuar progres në negociatat e Athinës me kreditorët. Ndërsa këto negociata po vazhdojnë, presidenti i Eurozonës, Jerun Dijsselbloem ka deklaruar se “po dëgjojmë lajme të mira nga Athina”. Dijsselbloem e bëri këtë deklaratë të premten, në takimin e ministrave të financave të eurozonës, në Amsterdam. Si shenjë pozitive vlerësohet në Athinë fakti se shefi i eurozonës theksoi që “Nuk duhet të jemi të ashpër me grekët. Nevojitet kohë që të avancojnë në reformën e sistemit tatimor dhe të sigurimeve shoqërore”. I pyetur mbi çështjen e lehtësimit të borxhit grek, Dijsselbloem tha se edhe ky diskutim po fillon tani. Në prag të takimit të ministrave të financave, shërbimi statistikor i BE, Eurostat, bëri të ditur se Greqia ka arritur një suficit primar prej 0,7% vitin e kaluar. Ky zhvillim u përshëndet nga të gjithë. Por shefja e Fondit Monetar ndërkombëtar, Christine Lagarde, u shpreh skeptike ndaj shifrave, pavarësisht që e konsideroi si të rëndësishme këtë arritje. “I mirëpres shifrat e reja. Po qe se janë të sakta, atëherë gjërat ndryshojnë. Sepse në të kaluarën kemi parë shifra që kanë revizionuar. Në kët sens, do t’i shqyrtojmë me shumë kujdes”, ka thënë Lagarde, e cila ndërkaq është pajtuar se në negociatat midis Athinës dhe kreditorëve ka patur progres. “Mirëpo, mbetet ende shumë punë për t’u bërë”, ka shtuar numri një i FMN. Pas njoftimit se kreditorët kërkojnë marrjen e masave të reja, që do të zbatohen në rast të mosarritjes së objektivave, qeveria dhe opozita u përlasën mjaft ashpër. Por kryeministri Aleksis Tsipras është shpçrehur se nuk është nevoja për t’u marrë këto masa, pasi performanca e qeverisë së tij do të jetë tepër e lartë. “Nuk nevojiten masa të jashtëzakonshme. Ajo që ka nevojë Greqia është lehtësimi i borxhit, me qëllim që të fluturojë ekonomia, të fitojmë besimin e investitorëve, të rikthehemi më në fund në rrugën e zhvillimit”, ka deklaruar Tsipras në një intervistë për televizionin Euronews. Në të njëjtën intervistë, kryeministri grek ka theksuar se ekonomia greke ndodhet në pragun e daljes nga kriza dhe se tashmë edhe Athina, edhe partnerët, duhet të marrin vendimet e duhura. “Greqia, në kthesën e fundit para daljes nga kriza, nevojitet të shtyhet përpara dhe jo mbrapa”, ka thënë Tsipras, në një thirrje ndaj kreditorëve që mos të kërkojnë masa më të ashpra përveç atyre që janë dakorduar që në verën e vitit të kaluar. Tribuna

Ndaje me miqte