0030 210 33 18 483

FSHSHG takim në Ministrinë e Emigracionit

26 Janar 2016

Siç njofton Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi (FSHSHG), është zhvilluar në një frymë të ngrohtë dhe miqësore takimi mes një përfaqësie të Federatës me dy zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Emigracionit: sekretarin e përgjithshëm të Politikës së Emigracionit, Vasilis Papadhopulos dhe këshilltarin e Ministrit të Emigracionit, Markos Papakonstantis. Federata u përfaqësua nga kryetari i saj z. Etmond Guri, avokati z. Dhimitër Pandazo, sekretarja e ështjeve Sociale znj. Enida Shuli, financieri, z. Thanas Carka dhe znj Eleni Dhimojani nga seksioni i Gruas. Pas prezantimit, Përfaqësia e Federatës i paraqiti autoriteteve një sërë pikash lidhur me problemet aktuale që po ndeshet sot Komuniteti Shqiptar, ashtu si edhe në të shkuarën ku dhe janë dorëzuar propozime konkrete, një pjesë e mirë e tyre janë përfshirë tashmë si në Kodin e Emigracionit 4251/2015 po ashtu dhe në ligjin 4332/2015. Disa nga kërkesat Ndër pikat e shumta dorëzuar autoriteteve përkatëse përfshiheshin: - Vonesat të pa arsyetueshme në shqyrtimin e dosjeve të dorëzuara dhe në takimet për aplikimet e reja për ligjërim në qendrën e vetme të dorëzimit të Ministrisë së Brendshme, që ndodhet në Pirea. - E drejta e aplikimit për arsye të veçanta edhe në zyrat e Drejtorive të Decentralizuara në prefektura dhe zona të tjera në Greqi, kryesisht në Selanik, Patra, Iraklio, Siro etj. - Ndryshimi i kufirit të të ardhurave nga 8.500 euro 2 vitet e fundit në 8.500 euro në vit për lejet 5-vjeçare të rezidentit afatgjatë, duke e vështirësuar më shumë procedurën. - Lehtësimi i kësaj kategorie (lejet 5-vjeçare me rezidencë afatgjatë) që të kenë mundësinë ta përfitojnë sa më shumë emigrantë. - Problemet e shumta me bashkimet familjare. - Vonesat dhe pengesat e mëdha për aplikimet për përftimin e nënshtetësisë greke - Vonesat, vështirësitë dhe pengesat për aplikimet për përfitimin e nënshtetësisë greke nga brezi i dytë. - Shërbime me përparësi dhe pa pengesë të emigrantëve apo fëmijëve të tyre me aftësi të kufizuara dhe jo vetëm. - Mundësia e ndihmës të çështjeve delikate të rekomanduara nga Federata ku ka raste të cilat kanë nevojë për ndërhyrje emergjente etj. Nga ana e tyre, si këshilltari i ministrit po ashtu dhe sekretari i përgjithshëm ishin të sinqertë rreth situatës së krijuar ku pengesat dhe problemet janë të shumta dhe fajësojnë për këtë numrin shumë të madh të kërkesave të adresuara në këtë shërbim. “Kapaciteti i shërbimit është i kufizuar në krahasim me kërkesat e shumta të emigrantëve”, u shpreh sekretari i përgjithshëm z. Vasilios Papadopoulos, duke shtuar: “Jemi të kufizuar pasi nuk kemi mundësinë e shtimit të personelit. Nuk e prisnim këtë ngarkesë kaq të madhe. Jemi duke punuar për të përmirësuar legjislacionin, duke përfshirë dhe kërkesat tuaja. Së shpejti do dalin qarkore të reja të cilat do të ndihmojnë në përmirësimin dhe normalizimin e situatës aktuale”. Lidhur me çështjen e përfitimit të nënshtetësisë me procedurën aktuale dhe vonesat e mëdha, ai theksoi se e gjithë procedura është në rishqyrtim për ta thjeshtësuar atë, për të shmangur vonesat e mëdha dhe ka mendime për të hequr Komisionet e Vlerësimit të përfitimit të nënshtetësisë. Vonesat, problemet dhe pengesat e mëdha për fitimin e nënshtetësisë nga brezi i dytë ia “hodhën” mungesës të një sistemi të njësuar, për të cilin po punohet. Gjithashtu, theksuan se një nga shkaqet kryesore të vonesave është seksioni i shkallës së parë dhe të dytë të Ministrisë së Arsimit, që po shqyrton me hollësi të gjitha të dhënat e fëmijëve shqiptarë që janë arsimuar në Greqi. Kjo për arsye se ka probleme shumë serioze me ndryshimin e emrave, me mos përkthimit të saktë të emrave apo të regjistruar gabimisht në shkolla, ku aktulisht do të bëhet verifikimi i tyre për të shmangur manipulimet apo falsifikimet. Pyetjes tonë se pse ka kaq shumë vonesa, sekretari i përgjithshëm u përgjigj: “Situata pritet të përmirësohet jo më shpejt se 2 muaj, kjo për arsye të problemeve të mëdha që kanë shërbimet. Aktualisht po punohet që çdo shërbim në Greqi të ofrohet në mënyrë elektronike. Po bëhet digjitalizimi i shërbimit të institucioneve dhe njësimi i tyre për shërbim në kohë rekord”. Pavarësisht problemeve dhe vështirësive të shumta, të dy palët ranë dakord për të përforcuar bashkëpunimin midis tyre, ku pas rekomandimit të një sërë çështjeve emergjente të emigrantëve nga Federata, sekretari i përgjithshëm u shpreh i gatshëm për t’i dhënë përparësi zgjidhjes së tyre. Gjithashtu u ra dakord që Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi në bashkëpunim me Sekretariatin e Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme të organizojnë ndër të tjera dhe një aktivitet të madh kulturor në kuadër të integrimit dhe të përforcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, përfundon njoftimi i FSHSHG.

Ndaje me miqte