0030 210 33 18 483

FYROM përleshje të armatosura në Kumanovë dyshohet se ka vrarë

09 Maj 2015

Përleshje të armatosura kanë pasur një operacion të policisë sllavo-maqedonase në qytetin e Kumanovës, në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë (FYROM). Krisma armësh janë dëgjuar për më shumë se një orë dhe rrugët e qytetit janë të bllokuara nga forcat e posaçme të policisë. Jo zyrtarisht thuhet se ka policë dhe civilë të plagosur, raporton radio Zëri i Amerikës. Helikopterët kanë partulluar mbi qytetin që shtrihet rreth 40 kilometra larg Shkupit dhe që ishte skenë e konfliktit të armatosur të vitit 2001 ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve shqiptarë që kërkonin më shumë të drejta në FYROM. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski ka konfirmuar për Agjencisë shtetërore të lajmeve MIA, një aksion në orët e hershme të mëngjesit lagjen Divnaselë të Kumanovës, të ndërmarrë pas njoftimeve të disa medieve për prani të grupeve të armatosura atje. Të premten në disa faqe interneti shkruhej se në rajonin e Likovës, afër Kumanovës, ishin vërejtur dhjetëra njerëz të veshur me të zeza dhe të armatosur. Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve për qetësi. Sipas rrjetit televiziv “Al Jazeera Balkans”, ka të paktën një shqiptar të vrarë dhe ky është Fadil Fejzullahi nga “Lagja e Trimave” të Kumanovës, ku janë zhvilluar luftimet mëngjesin e të shtunës. “Ai Jazeera Balkans” thotë se emri i personit të vrarë është njoftuar nga banorët lokalë. Sipas KosovaPress, banorët e Kumanovës flasin për disa persona civilë shqiptarë të vrarë, por ende nuk ka asgjë zyrtare se sa persona dhe kush janë të vrarët. Situata në FYROMduket se është duke u përkeqësuar në një kohë krize politike që ka kapluar vendin, të shkaktuar nga skandali i madh i përgjimeve, vë në dukje Zëri i Amerikës. Reagime Bashkimi Demokratik për Integrim, partia shqiptare që është pjesë e koalicionit qeverisës tha se po i ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet e sotme në Kumanovë dhe në vazhdimësi ka bërë thirrje tek qytetarët “për përmbajtje, rruajtje të gjakftohtësisë dhe që të mos bien pre e provokimeve”. Në një komunikatë të kësaj partie thuhet e “BDI gjykon që zhvillimet e sotme në Kumanovë, por edhe ato të mëhershmet në Goshincë si dhe shpërthimi para selisë së BDI-së dhe të tjera, janë veprime që janë në kundërshtim të plotë me përcaktimet strategjike të kombit shqiptar si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Luginë të Preshevës. Jemi të bindur se vetëm një Maqedoni stabile dhe e sigurt ndihmon rajonin, dhe asnjë destabilizim i vendit tonë nuk është në interes të kombit shqiptar në rajon. Shqiptarët në Maqedoni kanë agjendë të paracaktuar dhe në bashkëveprim me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n duan ta shohin këtë vend me barazi të plotë, me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, në paqe e stabilitet si dhe të anëtarësuar në Aleancën Veri-Atlantike dhe të integruar në Bashkimin Evropian”, thuhet mes tjerash në komunkatën e BDI-së. Ndërsa Partia Demokratike Shqiptare në opozitë, kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme si dhe institucionet e tjera qeveritare të përfshira në këtë situatë, që me veprimet e tyre në asnjë mënyrë të mos cenojnë jetën dhe pronën e qytetarëve. “Partia Demokratike Shqiptare ka potencialin dhe aftësinë politike që pakënaqësitë e akumuluara t’i artikulojë me metoda politike dhe t’i mbrojë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë si dhe apelon që shqiptarët të mos bëhen pjesë e skenarëve të individëve dhe grupeve të ndryshme me agjendë dhe qëllime të cilat nuk përkojnë me metodat me të cilat shqiptarët do të donin të zgjidheshin problemet e tyre. Apelojmë tek faktori ndërkombëtarë që urgjentisht të ndërhyjë në këtë situatë me qëllim të parandalimit të përshkallëzimit të mëtutjeshëm të situatës”, thuhet në reagimin e kësaj partie. Ndaj zhvillimeve në FYROM reagoi edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë, që dënon aktet e dhunës dhe bën thirrje për qetësi. “Dënojmë aktet e dhunës dhe bëjmë thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe për mos përshkallëzik të mëtejshëm të situaës, e cila nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë”, thuhet në deklaratën e MPJ. Sipas MPJ, “gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme duhet t’i lenë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë dhe shtetit ligjor. Harmonia e marrëdhënieve ndëretnike, sanksionuar në Marrëveshjen e Ohrit, është esenciale për stabilitetin demokratik dhe busull orientuse për rrugëtimin Euro-Atlantik të Maqedonisë”. Ndërsa në deklaratën e Ministrisë së jashtme të Kosovës thuhet se Prishtina “dënon ashpër cenimin e rendit dhe sigurisë nga çfarëdo individi apo grupi me qëllime destabilizuese në Maqedoni. MPJ njëkohësisht apelon tek të gjitha palët që të përmbahen nga dhuna dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut politik, në kuadër të institucioneve të vendit dhe Marrëveshjes së Ohrit, që garanton integritetin e Maqedonisë dhe përmbushjen e të drejtave të komuniteteve”.

Ndaje me miqte