0030 210 33 18 483

Fëmijtë e lindur jashtë Greqisë leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme

11 Dhjetor 2015

Një qarkore e re e ministrisë së brendshme përcakton kriteret për pajisjen me leje qëndrimi edhe të fëmijve që nuk kanë lindur në Greqi. Sipas autoriteteve greke, trajtimi i kësaj kategorie bëhet sipas vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, që ka gjykuar se gjithë fëmijtë nga vendet e treta duhet gjithsesi të jetojnë bashkë me prindërit, kur këta të fundit ndodhen si emigrantë në një nga shtetet anëtare. Kështu, sekretari i përgjithshëm për emigracionin në ministrinë e brendshme greke, Vasilis Papadopulos, nënvizon në qarkoren e firmosur prej tij se “fëmijtë e mitur, pavarësisht nëse u futën në Greqi me ose pa vizë hyrëse, më herët apo më vonë nga miratimi i lejes së qëndrimit për prindin, aplikojnë për t’u pajisur me leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme dhe kërkesa paraqitet nga prindi apo personi që e ka fëmijën në kujdestari”. Qarkorja saktëson se kjo masë do të zbatohet në një kuadër tranzicional dhe se ka të bëjë vetëm me fëmijtë që nuk kanë lindur në Greqi dhe që kanë ardhur në këtë vend e banojnë në mënyrë të dëshmuar para hyrjes në fuqi të ligjit 4332/15 (që u miratua në korrik të këtij viti). Qëndrimi në Greqi vërtetohet nga dokumenta shkollore apo mjekësore, vaksinime, veprimtari sportive, etj. Qarkorja gjithashtu saktëson në mënyrë kategorike se kjo masë e re që po vihet në zbatim, nuk përfshin rastet e emigrantëve që ndodhen në Greqi me leje të rregullt qëndrimi, mirëpo gëmijtë e tyre ndodhen në Shqipëri. Për këto raste mbeten në fuqi procedurat normale të bashkimit familjar. Domethënë që fëmijtë duhet të marrin vizë hyrëse për bashkim familjar. Së fundi, lejet e qëndrimit që u akordohen të miturve, kanë vlefshmëri kohore të barabartë me atë të prindit apo kujdestarit dhe rinovohen si lejet për bashkim familjar.

Ndaje me miqte