Fillon sulmi kundër &ldquoShtetit islamik&rdquo për rimarrjen e Mosulit
17 Tetor 2016
Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, tha të hënën se kombi i tij "do të kremtojë fitoren si një trup i vetëm", ndërsa ushtria u nis të dëbojë ekstremistët e grupit Shteti Islamik nga qyteti verior i Mosulit.
Fushata e paralajmëruar kaherë, është operacioni me i madh ushtarak në Irak që nga largim i forcave amerikane.
Gjenerali Stephen Townsend, që komandon koalicionin e drejtuar nga Shtetet Bashkuara kundër IS-it në Irak dhe Siri, tërhoqi vërejtjen se mund të kalojnë javë e mbase edhe më shumë që të rimerret Mosuli.
"Kjo mund të jetë një betejë e gjatë dhe e ashpër, por irakianët janë të përgatitur dhe në do të qëndrojmë përkrah tyre", tha ai.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, tha se ky është "një moment vendimtar", në fushatën kundër IS-it.
"Ne jemi të bindur se partnerët tanë irakianë do të ngadhënjejnë mbi armikun tonë të përbashkët dhe do të çlirojnë Mosulin dhe pjesën tjetër të Irakut nga urrejtja dhe brutaliteti i IS-it", tha ai në një deklaratë.
Disa orë para fillimit të sulmit, forcat ajrore irakiane lëshuan mijëra paralajmërime për banorët e Mosulit.
Punonjësit humanitarë, thonë ndërkaq se është e paqartë se çfarë u mbetet të bëjnë civilëve në Mosul. Ata kritikuan planifikuesit e sulmit se kanë dështuar në përcaktimin e rrugëve të ikjes së civilëve.
Nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështjet humanitare, Stephen O'Brien, tha se aktualisht në kampet për të zhvendosurit ka vende për 60 mijë njerëz dhe së shpejti ato do të zgjerohen për të siguruar strehë për 250 mijë veta. Por, tha ai, në skenarin më të keq, më shumë se një milion veta mund të braktisin shtëpitë e tyre.
"Unë i përsërisë thirrjet ndaj të gjitha palëve që t'u përmbahen detyrimeve ndaj ligjit humanitar ndërkombëtarë për të mbrojtur civilët dhe për të siguruar qasjen e tyre në ndihmën që u takon dhe që e meritojnë. Asgjë nuk është më e rëndësishme", tha ai.
Këshilli Norvegjez për refugjatët, ka theksuar shqetësimet e njëjta , duke shprehur frikën se pasojat humanitare të luftimeve për Mosulin "mund të jenë masive". Grupi tha se përparësia kryesore duhet të jetë sigurimi i rrugëve të largimit të civilëve nga qyteti.
Banorët e Mosulit të kontaktuar më telefon apo skype, thanë se luftëtarët e IS-it, shumë syresh veteranë të betejave në krahinën e Anbarit, kanë mbyllur rrugët kryesore dhe urat që çojnë në Mosul dhe jashtë tij. Xhihadistët janë shpërndarë nëpër tërë qytetin duke vendosur mina dhe mjete tjera shpërthyese, ndërsa kanë paralajmëruar civilët që të mos përpiqen të ikin.
Sulmi mbi Mosulin është pritur për javë të tëra, por mospajtimet shpërthyen ndërmjet aleatëve rreth çështjes se kush do të qeverisë zonën e Ninevehut pas çlirimit dhe kush do të përfshihet në luftën për të hequr qafesh IS-in. Pohimet e kurdëve më herët gjatë muajit se çdo territor i çliruar nga Peshmergat kurdë do të mbeten pjesë e Kurdistanit, zemëruan qeverinë e dominuar shiitët në Bagdad.
Të shtunën, presidenti turk, Recep Tayyip Erdo?an, refuzoi sërish kërkesën e kryeministrit irakian Abadi për të tërhequr rreth 2 mijë "këshilltarë ushtarak" turq nga një bazë rreth 20 kilometra nga Mosuli, ku ata po stërvitin luftëtarë lokal sunnitë në milicinë e njohur si Hashd al-Watani. Presidenti turk ngulë këmbë se Mosuli duhet të kontrollohet nga myslimanët sunnitë dhe bashkë me sunnitët vendës ai ka paralajmëruar milicitë shiite të qëndrojnë jashtë Mosulit.
Ndaje me miqte