Finalizohet qeveria e re e kancelares Merkel
ATSH
11 Mars 2018
BERLIN, ATSH-AFP/ - Social-demokratët gjermanë zyrtarizuan sot emrat e ministrave në qeverinë e re të Angela Merkel, me figura si Olaf Scholz në Ministrinë e Financave, disa ditë përpara emërimit të planifikuar të kancelares për një mandat të katërt qeverisës.
Kancelares gjermane i është dashur, me ndarjen e ministrive, të bëjë lëshime të konsiderueshme për social-demokratët e SPD-së për t’i bindur ata që të bëheshin sërish aleatë me të, pas gjashtë muaj ngërçi politik në vend pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.
SPD-ja mori në total jo më pak se gjashtë ministri, me tre poste të zëna nga gratë dhe tre nga burrat.
Emërimi i Olaf Scholz në Ministrinë e Financave zëvendëson konservatorin Wolfgang Schäuble.
Kryebashkiaku i Hamburgut Olaf Scholz, 59 vjeç do të marrë postin e rëndësishëm të zëvendëskancelarit në qeveri.
Heiko Maas, deri tani në krye të Ministrisë së Drejtësisë, do të marrë Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Svenja Schulze, 49 vjeçe, kryetare e SPD-së në North Rhine-Westphalia do të drejtojë Ministrinë e Mjedisit.
Ministrja aktuale për Familjen, Katarina Barley, 49 vjeçe, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa ish-sekretari i përgjithshëm i SPD-së, Hubertus Heil, 45 vjeç, do të drejtojë Ministrinë e Punës dhe ?ështjeve Sociale.
Franziska Giffey, 39 vjeçe, e panjohur për publikun e gjerë, e cila aktual mban postin e kryetares së bashkisë së një zone të Berlinit do të marrë përsipër postin e ministres së Familjes.
Ministrat e tjera, tashmë të njohur vijnë nga radhët e Partisë Kristian-demokrate (CDU) e kancelares dhe aleatit të saj bavarez, CSU.
Ndaje me miqte