0030 210 33 18 483

Fotografitë e shqiptarit që sipas policisë është &ldquovrasës serial&rdquo

11 Mars 2015

Policia greke ka publikuar identitetin dhe fotografitë e një shtetasi shqiptar, i cili akuzohet për të paktën tre vrasje dhe është cilësuar si “serial killer” (vrasës serial). Fotografitë mund t’i gjeni më poshtë në faqe, në rubrikën “FOTO GALERI, ALBUM 1). Bëhet fjalë për një person, emri i plotë i të cilit nuk është zbardhur, përderisa edhe vetë policia, në njoftimin e saj zyrtar, përmend gjithë emrat dhe mbiemrat që ka përdorur i arrestuari dhe konkretisht: Mbiemri: BARIAME, BARIAMI, BARIAM, BARJAMAJ, BARJAMI, BARAJMI, ose PAPAVAN, PAPAJANI, PAPAZANI, PAPAYAN, PAPAXHANI, PAPAGIAN; Emri: MONDI, ARTAN, EDMONT, GENTIAN, EDMOND, ENDONT, ORGEST, BEZMIR; Emri i babës: MIDET, MUDEI, MINA, FERIK, FEMIK, VASLI; Lindur në Shqipëri. Policia ka publikuar edhe fotografitë e bashkëpunëtorit të “Edmondit”, që u arrestua bashkë me të, në shkurt 2014 në Patra. Sipas policisë, ai është Ernest apo Neri Musta. Të dy ata u arrestuan, pasi më parë ishin diktuar prej policisë, që ndodhej në ndjekje të Edmondit. Ata u kapën tek qarkullonin me një automjet Fiat Panda, që e kishin vjedhur dy ditë para arrestimit, në Arkitsa të Ftiotidas. Vrasja e piktores Policia ra në gjurmët e “Edmondit” pas një vrasjeje të kryer në ishullin Naksos, në tetror 2014, kur një piktore e njohur u gjet pa jetë në banesën e saj. Që në fillim dyshimet ranë te “shqiptari” që kishte punuar disa ditë në atë banesë, por që ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Tani, sipas policisë, “Edmondi” ka pranuar se është autor i saja vrasjeje, madje ka dhënë edhe hollësi. Sipas versionit të tij që e publikon policia, kishte shkuar në ishull për punë sezonale dhe kishte punuar disa ditë te piktorja e cila, sipas tij, ishte “shumë e bezdisshme”. Kur shkoi për të marrë paratë, ajo duket se donte ta paguante më pak nga ç’ishin marrë vesh dhe pas një debati verbal, piktorja tentoi të telefononte në polici. Atëherë “Edmondi” i hodhi duart në fyt dhe e shtrëngoi derisa ajo dha shpirt. Pas kësaj, e çoi viktimën në dhomën e gjumit, e shtriu në shtret dhe i lidhi këmbët dhe duart me spango. Kontrolloi në shtëpi, mori 370-380 euro, 200 dollarë, selularin e viktimës dhe një varëse floriri. Kjo ndodhi më 17 tetor 2014. Ai u largua menjëherë me traget për në Pire dhe prej andej shkoi në atdhe ku ndjenjti dy muaj. U kthye në Greqi pak para Krishtlindjeve dhe në bashkëpunim me Mustën, kreu një seri vjedhjesh në zonat që i njihte mirë, si Livanates dhe Arkitsa të Fitotidas dhe në Patra, ku përfundimisht i vunë prangat... Dy vrasjet e tjera Sipas policisë, gjatë marrjes në pyetje, “Edmondi” ka pranuar kryerjen edhe të dy vrasjeve të tjera, prandaj dhe u emërtua si “serial killer”. Vrasja e parë ka ndodhur në maj 2011, në fshatin Spilia të Kalamatas. Viktima ishte një person tek i cili “Edmondi” punonte dhe patën kontradikta për pagesën. Për këtë arsye shkoi me një bashkatdhetar tjetër dhe iu kanosën punëdhënësit , e më pas u përleshën. I moshuari humbi jetën për shkak të goditjeve. Dy agresorët morën 180-200 euro që gjetën në banesën e viktimës dhe u larguan. Vrasja e dytë ndodhi në zonën e Tripolis-it, në njësinë bashkiake Vurvura, më 4 shtator 2011. Me dy bashkatdhetarë të tjerë të tij, mësynë në një shtëpinë e një 79 vjeçari, me qëllim vjedhjen. Mirëpo i zoti i shtëpisë i diktoi dhe u përball me ta. E goditën me grushta dhe pastaj e kapën nga fyti, duke i shkaktuar asfiksi me pasojë vdekjen. Në vazhdim, u përballën me bashkëshorten e viktimës, që gjithashtu e goditën, e lidhën dhe i mbyllën gojën me një shtupë lecke. Morën 1000 euro, si dhe celularin e viktimës. Akuzat Sipas komunikatës së policisë, kundër “Edmondi” është ushtruar ndjekje penale për veprat e vrasjes me paramendim, në gjendje të kthjellët shpirtërore dhe në vazhdimësi, vjedhje në bashkëpunim dhe në vazhdimësi me përdorim të dhunës së rëndë fizike. Ndërsa ndaj Mustës, bashkëpunim në vrasje me paramendim dhe në vazhdimësi, si dhe vjedhjes në bashkëpunim. Autoritetet policore greke kërkuan prej prokurorisë lejen për të publikuar identitetin e dy të arrestuarve, pasi konsiderohen me rrezikshmëri të lartë, si dhe po hetohet nëse kanë marrë pjesë edhe në kryerjen e veprave të tjera penale, me ç’rast ftohen qytetarët të njoftojnë policinë nëse dinë diçka.

Ndaje me miqte