Francë 84 të vdekur nga sulmi terrorist në Nicë
TRIBUNA
15 Korrik 2016
Franca është goditur rëndë nga një sulm i ri në ditën e Festës Kombëtare në qytetin jugor bregdetar, Nicë. Një kamion që hyri brenda turmës së njerëve vrau 84 vetë, ndër ta edhe fëmijë. Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve tha se ende 18 vetë janë në gjendje kritike. Sipas raportimeve në media më shumë se 100 të tjerë janë plagosur.
Presidenti francez, Francois Hollande ndërpreu një vizitë në qytetin Avignon dhe u nis drejt e në shtabin e krizës në Pallatin Élysée. "E gjithë Franca është e kërcënuar nga terrorizmi islamist", tha kreu i shtetit francez të premten në mëngjes në një fjalim televizv. Për këtë arsye Franca do të mobilizojë më shumë ushtarë dhe forca sigurie.
Sipas prokurorisë, kamioni tërhoqi zvarrë në një gjatësi prej 2 kilometrash, njerëz të mbledhur për të parë fishekzjarrët me rastin e festës kombëtare. Foto të AFP-s e tregojnë kamionin me xhamin e përparmë të shoshitur nga plumbat. Presidenti i rajonit, Christian Estrosi u shpreh se në kamion janë gjendur edhe armë dhe granata, por më vonë nga qarqet e hetimit u tha se armët nuk kanë qenë funksionale.
Media lokale në Nisë njofton gjithashtu se shoferi ishte një 31-vjeçar me shtetësi të dyfishtë, franceze dhe tuniziane. Një burim i policisë franceze thotë se brenda kamionit ishte gjetur një kartë identiteti dhe se personi ishte banor i Nisës.
Disa dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se kishin dëgjuar të shtëna, ndërsa kamioni i bardhë hynte mes turmës së njerëzve, duke devijuar majtas e djathtas për t'i goditur ata.
Ministri i Brendshëm Cazeneuve tha se policia "e neutralizoi terroristin në një situatë të rrezikshme." Më tej ai tha se "jemi në luftë me terroristët, që duan të na lëndojnë me çdo kusht." Një dëshmitar okular kishte raportuar, se shoferi i kamionit fillimisht kishte hapur zjarr ndaj një polici. Sulmi ndodhi rreth orës 23,00 të mbrëmjes së të enjtes.
Një reporter i AFP-së që ndodhej në shëtitoren e njohur "Anglais" tha se një kamion i bardhë u fut me shpejtësi të madhe në turmën e njerëzve- "Pamë se si njerëzit u goditën, dhe si sende hidheshin nga të katër anët. Ka qenë një kaos i madh", ka thënë reporteri i AFP-së. Në shëtitore më pas u renditën një numër i madh viktimash të mbuluar nga çarçafë të bardhë.
Tetë muaj më parë, më 13 nëntor, militantët e Shtetit Islamik vranë 130 njerëz në Paris, më i përgjakshmi mes një numri sulmesh në Francë në dy vitet e fundit.
Të dielën, Franca mori frymë e lehtësuar pasi turneu i futbollit Euro 2016 përfundoi pa ndonjë incident, të cilit zyrtarët i trembeshin.
Ndaje me miqte