Francë zgjedhjet presidenciale: 50.000 policë dhe 7.000 ushtarë për ruajtjen e sigurisë
Tribuna
23 Prill 2017
Janë hapur të dielën në Francë qendrat e votimit për zgjedhjet presidenciale franceze, të konsideruara si më të paparashikuarat për dekada të tëra si edhe zgjedhje që mund të ndryshojnë shumëçka në Evropë.
Katër kandidatët kryesorë, që variojnë nga e djathta ekstreme deri tek e majta ekstreme, Marine Le Pen (e djathta ekstreme), Jean-Luc Melenchon (radikal i majtë), Emmanuel Macron (centrist) dhe Francois Fillon (konservator) do të përpiqen të zenë sot dy vendet e para për të dale më pas në balotazh, më 7 maj.
Sondazhet tregojnë se të katër kandidatët kanë diferenca mjaft të ngushta.
Thuajse 47 milionë votuesit do të mund ta hedhin votën e tyre deri në orën 19,00 sipas orës lokale. Në shumë qytete të mëdha qendrat e votimit do të qëndrojnë hapur deri dhe një orë më vonë.
Votimi mbyllet në orën lokale 20:00, exit poll-et e para do të publikohen pas mbylljes së qendrës së fundit të votimit dhe rezultatet do të publikohen nga Ministria e Brendshme. 50.000 policë dhe 7.000 pjesëtarë të forcave ushtarake janë mobilizuar për të ruajtur sigurinë në vend, tri ditë pas sulmit në bulevardin Shans Elize në Paris, që i kushtoi jetën një polici.
Eshtë hera e parë gjatë Republikës së pestë Franceze që zgjedhjet zhvillohen nën regjimin e gjendjes së jashtëzakonshme që u shpall pas sulmeve terroriste në Paris, në nëntor 2015.
Ndaje me miqte