0030 210 33 18 483

Gazeta greke reportazh për Shqipërinë

TRIBUNA 13 Dhjetor 2016

Gazeta e njohur greke, “Efimerida ton Sintakton”, ka publikuar te marten një reportazh nga Tirana. Nën titullin “Greqi-Shqipëri, aleancë teatrore”, gazetari i referohet fillimisht shfaqjes së monodramës “Një gur gabim”, të autorit grek, Theodoros Grapsas. Pjesa interpretohet njëkohësisht në shqip dhe greqisht dhe, pasi u shfaq në muajin tetor në Athinë, këto ditë po shfaqet në teatrin eksperimental Kujtim Spahivogli në Tiranë. Dy aktoret shqiptare janë Luiza Xhuvani dhe Eleni Ludjana Thanasi, ndërsa dyshja greke përbëhet nga Xheni Stavropulu dhe Peni Papageorgiu. “Teatri ishte plot. Shumica dërrmuese shqiptarë, por edhe disa gerkë”, vë në dukje gazetari, që duke marrë shkas nga ndjekja e kësaj shfaqjeje, i bën një vështrim të shkurtër, por esencial kryeqytetit shqiptar. “Tirana po zhvillohet si qytet modern. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ky zhvillim po bëhet me plan e jo në mënyrë anarkike”, vëren gazetari Dimitris Kanelopulos. Dhe vazhdon: “A janë shqiptarët më mirë nga ne? Shikoni, ata po ndodhen në ngritje duke filluar nga zeroja, ndërsa ne jemi, si shoqëri, por edhe si atmosferë, në një fazë depresioni. Nga kjo pikëpamje, shqiptarët janë më mirë. Sheh edhe fytyra të gëzuara në rrugë. Njerëz të bukur, njerëz të rinj, të gjithë me smartphones në duar... Fantazma e Enver Hoxhës tashmë është larg. Shqiptarët kanë marrë frymë”. Gazetari grek përshkruan edhe përjetimet e tij nga vizita në BunkArt-2. “Eshtë muzeu për viktimat e komunizmit, por në fakt duhej thënë për viktimat e Hoxhës”, vëren autori dhe shton: “Në objektet dhe dokumentet e ekspozuara pamë gjithë egërsinë e regjimit komunist, që nga burgjet - ferr për disidentët deri tek qentë e stërvitur për të eliminuar ata që guxonin të arratiseshin jashtë shtetit”. “Enver Hoxha vdiq më herët dhe ishte me fat. Sepse, siç thonë vendasit, do të kishte një vdekje më të tmerrshme nga diktatori rumun, Nikolae aushesku”, përfundon shkrimi i gazetës greke “Efimerida ton Sintakton”.

Ndaje me miqte