Gjermani Socialdemokratët refuzojnë të qeverisin me Merkel
Tribuna
25 Shtator 2017
Partia social-demokrate (SPD) njoftoi se nuk dëshironte më të formonte koalicion me konservatorët në qeverinë e ardhshme të Angela Merkel dhe se preferonte të mbante vendin e opozitës në Parlament, pas një dështimi me përmasa historike në zgjedhjet legjislative.
“Ne kemi marrë një mandat të qartë nga zgjedhësit për të dalë në opozitë”, deklaroi një prej zyrtareve të partisë Manuela Schwesig, për stacionin televiziv ZDF.
“Për ne, koalicioni i madh me konservatorët përfundon sot”, shtoi ajo.
Schulz pranon humbjen
Kandidati socialdemokrat për kancelar, Martin Schulz në një deklaratë për mediat ka pranuar humbjen, duke marrë gjithë përgjegjësitë për rezultatin, ndërsa ka deklaruar se SPD do të qëndrojnë në opozitë.
Ai tha se do të krijohet opozita më e fortë që Gjermania ka pasur ndonjëherë.
“Kemi rënë dakord që të formojmë partinë opozitare më të fortë, në mënyrë që të marrin përgjegjësinë që na ka dhënë populli gjerman. Kjo do të jetë detyra jonë, do të punojmë, do të diskutojmë dhe mbi të gjitha do të diskutojmë rezultatet e zgjedhjeve.
Do të jem në dispozicion për këtë diskutim, por për këtë do të më duhet pak kohë. Gjatë javëve të kaluara kemi diskutuar rreth çështjeve të ndryshme, cfarë do të ishte e vlefshme për Gjermaninë gjatë dekadave të ardhshme.
Do të doja ta përfundoja fjalën time. Partia SPD po përjeton disa orë të vështira dhe më të vështirat që kemi përjetuar ndonjëherë. Tani duhet të tregojmë forcën tonë. Duhet të marrin përgjegjësinë dhe të krijojmë opozitën më të fortë që ka qenë ndonjëherë në Gjermani”, deklaroi Martin Schulz, ish president i Parlamentit Europian.
Ndaje me miqte