Shqiptarët nuk kanë shanse për azil politik, por Gjermania do të hapë rrugën për ardhjen legale të fuqisë punëtore nga vendet Ballkanit, ka deklaruar sekretarja e shtetit në Ministrinë gjermane të Punës dhe ?ështjeve Sociale, Anette Kramme. Në një intervistë televizive për “Deutsche Welle”, zonja Kramme ka deklaruar se vitin e ardhshëm Berlini do t’i hapë rrugë lëvizjes së ligjshme të fuqisë punëtore nga Ballkani drejt Gjermanisë. Zyrtarja gjermane pohon se viti 2016 do të shënojë hapjen e tregut të punës në Gjermani për shtetasit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Sipas propozimeve të bëra deri më tani, parashikohet që të pranohen rreth 20.000 punëtorë nga këto vende. Ligji i ri do të jetë i vlefshëm deri në 2020, ndërkohë që do të bëhet dhe rivlerësimi i tij. Ata që do të munden të përfitojnë nga këto rregulla janë vetë Gjermania, por edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shprehet Anette Kramme. Lidhur me ndryshimet konkrete për këtë ligj, ajo thotë se: “Deri tani jemi në situatën ku emigrantët mund të vijnë në Gjermani vetëm nëse kanë ndonjë kualifikim të posaçëm. Ose kategorizohen si akademikë dhe mund të vijnë përmes Blu Card-it. Kjo është mundësia e parë. Mundësia tjetër është për personat me një profesion të caktuar, për të cilin rezulton se ka mangësi në Gjermani. Ne tani do ta hapim tërësisht tregun e punës për të ardhurit nga Ballkani, por me kushtin e parë absolut që të ketë një vend pune vakant”. Ndërsa, përsa i përket kushtit tjetër është, që për këtë të japë pëlqimin edhe Agjencia Federale e Punës, e cila bën të mundur njohjen e vendeve të punës që bëhet fjalë. Por që nuk ka ndonjë kandidat nga Gjermania apo nga shtetet e tjera të BE. Ndërkohë që është i qartë fakti se kushtet e punës duhet të jenë të barabarta. Për sa i përket Kosovës mbi problemin që kanë me vizat, i cili është edhe i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon të drejtën e plotë për lirinë e lëvizjes pa viza në BE, Kramme thekson se autoritetet gjermane do të mundësojnë lehtësimin e procedurës së dhënies së vizave, e cila do të jetë më e shpejtë dhe më e thjeshtë.