Gjermania stopon dhënien e datës për fillimin e negociatave ShqipëriBE
TRIBUNA
24 Nentor 2016
Kryetari i Komisionit Parlamentar për ?ështjet e BE-së pranë Bundestag-ut Gjerman, Gunther Krichbaum tha të enjten se Shqipëria ka ende disa kushte për të plotësuar në mënyrë që të hapet drita jeshile për çeljen e negociatave me BE-në.
Në një konferencë për shtyp në Tiranë, deputeti gjerman foli për 7 pritshmëritë që ka grupi parlamentar i CDU/CSU ndaj Shqipërisë, të cilat do të mundësonin çeljen e negociatave për anëtarësimin e saj në BE.
Ai tha se Gjermania dëshiron ta shoh vendin tonë në familjen e madhe europiane, por për këtë nevojitet plotësimi i disa kushteve duke nisur që nga Reforma në Drejtësi.
“Do kërkojmë të mos hapen negociatat, më parë duhen rezultate konkrete”, ka thënë Krichbaum, i cili ka saktësuar se, “në vitin 2018 mund të ketë një dritë jeshile”.
Deputeti gjerman ka theksuar se, “rezultatet e reformave dhe përpjekjeve të qeverisë duhet të jenë më të prekshme” dhe për këtë u ka bërë thirrje palëve politike shqiptare që “të bashkojnë forcat”.
Sipas dokumentit të prezantuar nga zyrtari gjerman, kriteret që duhen përmbushur janë këto:
Kriteri i parë ka të bëjë me reformën në administratën publike, e cila duhet të provohet në praktikë për të treguar se sa i qëndrueshëm është zbatimi i ligjeve të miratuara.
Kriteri i dytë ka të bëjë me reformën në drejtësi, e cila, sikurse thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim forcimin tërësor të nivelit të profesionalizmit dhe integritetit në fushën e drejtësisë.
Kriteri i tretë thotë se në luftën ndaj korrupsionit nëpërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, e cila duhet të jetë e pavarur nga kontrolli dhe ndikimi i politikës, duhet të jenë shënuar arritje të konsiderueshme.
Kriteri i katërt për luftën kundër krimit të organizuar është që të rritet ndjeshëm numri i dënimeve me vendime të formës së prerë, të forcohen dukshëm përpjekjet për luftën ndaj krimit të drogës dhe të shënohen suksese të prekshme.
Kriteri i pestë ka të bëjë me atë që konsiderohet "prioriteti kyç" në fushën e të drejtave të njeriut, masave kundër diskriminimit dhe realizimit të së drejtës së pronës, për të cilin vlerësohet se Shqipëria duhet ende të përmbushë ato pika që përmend raporti i Komisionit Europian i datës 9 nëntor 2016.
Kriteri i gjashtë është që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në lidhje me reformën zgjedhore të zbatohen deri në zgjedhjet e qershorit 2017, të cilat duhet të përmbushin standardet europiane.
Kriteri i shtatë ka të bëjë me ligjin për Dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve qendrore e vendore, i cili, siç thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme e të plotë.
“Për këtë arsye, grupi parlamentar i CDU-s dhe CSU-së do t’i rekomandojë qeverisë federale që të mos miratojë çeljen e negociatave derisa të përmbushen ato pika të formuluara në dokumentin e paraqitur në 7 pritshmëritë. Këto nuk janë pritshmëri të tepruara”, tha ai.
Krichbaum tha se në Gjermani pa vendimin e Bundestagut, kancelarja gjermane nuk mund të shprehet pro çeljes së negociatave të anëtarësimit me një vend kandidat.
Nëse këto pritshmëri do të përmbushen deri në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian në pranverën e vitit 2017, kjo tha ai, varet nga vullneti politik i të gjithë partive politike shqiptare.
“Nuk është e mundur që këto forca politike të bllokojnë ecjen e vendit drejt Bashkimit Evropian. Ne duam që vendi të anëtarësohet në BE, por kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur të gjithë forcat shoqërore, ku përfshihen edhe forcat politike të bashkohen për një qëllim të përbashkët. Kjo është një përgjegjësi ndaj kombit. Për këtë arsye, do të jetë e nevojshme të bëhen përpjekje më të mëdha për reformim”, vijoi ai.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është në interes edhe të Gjermanisë, ndaj prej vitesh BE-ja dhe Gjermania mbështesin vendin tuaj drejt Evropës. Ne duam t’ju japim ndihmesën tonë dhe ju krijon juve pritshmëri. Ne duam që negociatat për anëtarësimit të Shqipërisë të çelen kur të jenë krijuar kushtet e nevojshme. Në këtë drejtim, krijimi i shtetit të së drejtës është themelor. Ne përshëndesim progresin e vendit në rrugën që ka bërë Shqipëria drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi Kryetari i Komisionit Parlamentar për ?ështjet e EU-së pranë Bundestag-ut Gjerman, Gunther Krichbaum.
Ndaje me miqte