0030 210 33 18 483

Goro: &ldquoJam djalë i Himarës. Projektet e mia nesër do të jenë punë të kryera&rdquo

17 Qershor 2015

Jorgo Goro, kandidati i ASHE-së për Bashkinë e Himarës, duket se është deçiziv në atë që thotë. Me besimin se është në rrugën e duhur, që qeverinë do e ketë në krah e po kështu edhe dashurinë për tjetërsimin e zonës ku ka lindur, Jorgo Goro premton një Himarë ndryshe, me ujë të pijshëm, me sheshe të sistemuara, me më shumë turistë dhe investime kudo, nga Labëria në Lukovë. - Zoti Goro, pas 21 qershorit Bashkia e Himarës do të jetë një tjetër realitet, jo vetëm gjeografik dhe njerëzor, por edhe shumë më me potenciale ekonomike, turistike, të trashëgimisë kulturore etj. Cili është vizioni juaj për Himarën e vitit 2020? GORO: Me reformën e re territoriale, Bashkia e Himarës do të përfshijë një territor prej 500 km katrorë dhe 30 mijë banorësh. Kjo do të thotë për mua më shumë përgjegjësi dhe, sigurisht, më shumë punë. Himara e katër viteve të ardhshme do të jetë Himara si qendër kryesore turistike e Shqipërisë. Himara e re do të jetë krahina ku historia, tradita dhe kultura do të kthehen në pasaportën e saj për t’u prezantuar në botë. Himara e re do të jetë Himara e multikulturalizmit dhe harmonisë fetare. Dhe, për ta jetësuar këtë vizion, ne kemi gati projekte shumë serioze, që nga rikonstruksioni i të gjitha shesheve në të gjitha fshatrat, rehabilitimi i shtëpive karakteristike, do të shtrojmë të gjitha rrugët lidhëse me rrugët nacionale, do të zgjidhim njëherë e përgjithmonë problemin e ujit. - Si të gjitha gjërat në letër, duket e bukur. Por, le të flasim më konkretisht: ku do i gjeni fondet për t’i realizuar projektet tuaja? GORO: Do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që do të na krijojë qeveria me buxhetin e shtetit si dhe të ardhurat e vetë bashkisë. Së dyti, bashkëpunimi me donatorët dhe financuesit e huaj dhe kreditë do të marrë një qasje të re, me projekte absolutisht konkurruese dhe ambicioze. - Infrastruktura, është një nga boshtet e programit tuaj? Cilat do të jenë sheshet, rrugët, ujësjellësit që do të ndërtoni? GORO: Ne kemi nisur disa projekte në infrastrukturë, të cilat janë vetëm fillimi. Rruga e Lumit të Vlorës, rrugët lidhëse të këtyre fshatrave me Himarën, rruga Kuç - Kudhës - Qeparo, për të vazhduar më pas me të tjera rrugë lidhëse mes qendrave të banuara. Rrugët e brendshme të qendrave të banuara, veçanërisht aty ku këto qendra iu bashkuan rishtas Bashkisë Himarë, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje urgjente. Brenda mandatit tim 4-vjeçar çdo rrugë e brendshme e çdo qendre të banuar, do të jetë e shtruar dhe e sistemuar me trotuare. Një tjetër projekt shumë ambicioz që do të bëhet realitet gjatë mandatit tim është rehabilitimi i shesheve dhe shtëpive karakteristike të të gjitha fshatrave. Shkoni e shikoni sheshin e Kudhësit. Mund ta them pa drojë që ka dalë një shesh fantastik. Në këtë kuadër, do të rehabilitohen të gjitha sheshet e fshatrave. Konkretisht është në tenderim sheshi i fshatit Pilur, duke vazhduar me radhë me të gjitha sheshet e fshatrave të bregut, si Palasa, Dhërmiu, Gjileka, Borshi, Lukova, Piqerasi, Shën Vasili, por edhe Fterra e Corraj. E njëjta gjë do të bëhet njëkohësisht edhe për fshatrat e lumit të Vlorës. - Si do e zgjidhni problemin e ujit? GORO: Legjenda e ujit do të marrë fund! Nuk dua që ky të merret si premtim, por tashmë është si një punë e nisur. Uji i pijshëm do të jetë 24 orë në të gjithë Himarën. Në të njëjtën kohë do të fillojmë edhe financimin dhe zbatimin e projekteve të përpunimit të ujërave të zeza në Himarë dhe në çdo fshat të bregdetit. -Kthehemi te resursi kryesor, turizmi. A do të kemi më në fund një Himarë pjesë të hartës turistike të Evropës? GORO: Profili i Bashkisë së Himarës do të jetë turizmi. Më pyetët se si do të integrohet Himara në hartën turistike europiane: me projektet që kemi gati, të cilat do i zhvillojmë edhe në zonat që po na bashkëngjiten sot me ndarjen e re territoriale; duke i dhënë mundësi ndërtimit të resorteve turistike, hotelerive cilësore, e duke mos lënë mënjanë edhe përfaqësimin dinjitoz në panairet ndërkombëtare. Për herë të parë është bërë një ndarje e zonave turistike; konkretisht në zona të hotelerisë, në zonat e resorteve si dhe në zonat e agroturizmit. Po të listoj disa nga planet e tjera që ne kemi për t’i dhënë frymëmarrje turizmit: 1. Guida dhe Info Point në çdo plazh. 2. Linjë publ ike urbane l idhëse mesplazheve. 3. Port funksional për mjetet lundruese turistike. 4. Turizëm bregdetar i gërshetuar me atë malor. 5. 3 pista fluturimi, 3 stacione biçikletash, 3 parkingje rally. Një pikë e nxehtë në zonën e Bregut janë pronat. - Si do zgjidhet problemi i tyre? GORO: Mund të them me bindje se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë menaxhimin e pronave dhe dhënien e titujve të pronësisë qytetarëve të bregdetit. Në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë shqiptare, nisëm dhe mbaruam me sukses një projekt-pilot në Dhërmi. Ky projekt do të shtrihet në të gjitha fshatrat. Do të mbështesim qeverinë shqiptare hap pas hapi në këtë proces sa të vështirë, edhe aq të rëndësishëm. Jemi duke punuar rast pas rasti me këtë çështje në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë, për të evidentuar problematikën, me qëllim që të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme dhe sa më të drejtë, në mënyrë që qytetarët të kenë titujt e pronësisë direkt nga zyrat e hipotekës, pa pasur nevojë për gjyqe. - Deri tani, bujqësia dhe blegtoria jo vetëm në Himarë, por në gjithë vendin, nuk po gjejnë ritmin e duhur, edhe pse është një nga al ternativat e zhvillimit. A keni ju një projekt se si do t’i integroni blegtorinë dhe bujqësinë e zonës së Labërisë në njësinë e re? GORO: Bujqësia dhe blegtoria do të zënë vend kryesor në projektet tona gjatë këtij mandati. Ne do të nxisim produktet organike dhe blegtorinë natyrale. Kjo do të realizohet duke e drejtuar prodhimin blegtoral dhe bujqësor drejt disa kulturave të veçanta, të cilat do t’i drejtojnë bujqit dhe blegtorët se çfarë ata duhet të mbjellin apo të rrisin për të qenë konkurrues në treg. Sigurisht, kjo do të kërkojë shumë investime. Për këtë do të investojmë në kanalet vaditëse dhe kulluese, sidomos në zonën e lumit të Vlorës, zonë e cila është harruar thuajse fare në gjithë këto vite. - Si do të jetë shërbimi shëndetësor në Bashkinë e Himarës gjatë sezonit turistik, ku përvoja e viteve të kaluara lë për të dëshiruar në të gjithë bregdetin? GORO: Premtimi im është shumë konkret. Ky sezon turistik dhe të tjerët që do të vijnë pas, do të kenë shërbim mjekësor 24 orë në 7 ditë të javës. Këto qendra do të vijojnë punën deri në fund të muajit gusht. Do të jenë të pajisura me një set standard mjetesh mjekësore, që në të shkuarën kanë munguar dhe kanë sjellë konfuzion në rastet kur ka qenë e nevojshme ndihma mjekësore. Ndërkohë kemi gati projektin “Spitali Mobile”, i cili do të mbështetet nga disa ambasada të huaja posaçërisht për turistët gjatë sezonit të verës. Nga ana tjetër, presin për t’u nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi me aktorët kryesorë të mjekësisë në Shqipëri, të cilat do të sigurojnë një mbështetje logjistike pranë çdo spitali dhe qendre shëndetësore. Për herë të parë, përveç guidës turistike, Bashkia e Himarës do të ketë edhe një guidë informuese për asistencën mjekësore, e cila do të ndihmojë turistët kudo ku ata do ndodhen në territorin tonë. - Pse duhet të votojnë për ju himarjotët dhe jo për rivalët tuaj? GORO: Sepse jemi në drejtimin e duhur dhe modeli i qeverisjes vendore të së majtës është ku e ku më i mirë se forcat e tjera! Mjafton të shikoni bashkitë e drejtuara nga kryetarët tanë dhe ato të administruara nga të tjerët. Nëse gjeni një qytet ku kanë bërë punë, ejani e ma thoni. Së dyti, sepse në katër vitet e mandatit që po mbyllet, ne bëmë punë të dukshme dhe të prekshme. Së treti, sepse projektet që ju thashë më lart do të jenë nesër punë të kryera, falë Bashkisë së Himarës dhe mbështetjes së qeverisë. Por edhe sepse jam djali i Himarës, i provuar në besim, qëndrueshmëri, integritet moral, ndershmëri dhe dashuri për qytetin dhe bashkëqytetaret e bashkëqytetarët e mi, si dhe për të tërë bashkinë e re. Sa për rivalët, qytetarët i njohin mirë se çfarë përfaqësojnë. (Marrë nga Gazeta Shqiptare)

Ndaje me miqte