0030 210 33 18 483

Greqi 75% e familjeve patën rënie të të ardhurave vitin e kaluar

TRIBUNA 25 Janar 2017

Më shumë se 7 në 10 familje në Greqi patën gjatë 2016- rënie të mëtejshme të të ardhurave të tyre. Ndërsa 1 në çdo 4 veta ka frikë se do të humbasë shtëpinë e vet. Kjo rezulton nga studimi mbi të ardhurat dhe shpenzimet e familjeve në Greqi, prezantuar nga Konfederata e Profesionistëve, Zejtarëve dhe Tregtarëve (GSEVEE). Sipas studimit, 37,1 e të anketuarve përgjigjet se ka një të ardhur vjetore nën 10.000 euro, ndërsa 65%, se detyrohen të reduktojnë vazhdimisht shpenzimet për të përballuar nevojat e jetesës. Po të merret parasysh se caku i varfërisë është niveli i të ardhurave 7.178 euro, atëherë rezulton se 50% e familjeve në Greqi janë të varfëra, theksojnë ekspertët, duke evidentuar se sa tragjike është situata. Një fenomen që po zgjerohet vazhdimisht është ai i punonjësve të varfëruar. Më shumë se 1 në 5 familje (22,4%) kanë një pjesëtar të familjes që punon për më pak para se sa paga zyrtare minimale që është 586 euro (490 euro neto). Studimi ka evidentuar të dhëna “shokuese” për shtimin e pabarazisë sociale dhe papunësisë. 32,6% e të anketuarve, domethënë rreth 1,1 milion familje kanë në përbërje të tyre të paktën një person të papunë. Por edhe se thuajse 50% e familjeve deklarojnë si burim kryesor të ardhurash, pensionin e një pjesëtari të familjes. Pabarazitë e krijuara gjatë gjithë viteve të krizës, janë shtuar në vitin 2016, ndërsa masat e reja të diktuara nga programi i tretë i shpëtimit të Greqisë e kanë rënduar edhe më shumë barrën për buxhetet familjare, nënvizon GSEVEE. Nga të dhënat e studimit rezulton se 75% e familjeve në Greqi jeton në kushte shumë më të këqija (sasiore dhe cilësore), në raport me periudhën e mëparshme të krizës.

Ndaje me miqte