0030 210 33 18 483

Greqi asgjesohet banda e xhepistëve që ishte shndërruar në tmerrin e turistëve

Tribuna 20 Shtator 2017

Policia greke ka asgjesuar bandën më të madhe të hajdutëve të xhepave, që kishte një aktivitet të paktën dhjetëvjeçar dhe të ardhura ditore 3.500 euro Në pranga kanë rënë 31 persona, 27 prej të cilëve shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerët janë nga Greqia, Bullgaria, Bangaldeshi dhe Gjeorgjia. Sipas policisë, shqiptarë janë edhe krerët e bandës, që gjithashtu u asgjesuan. Se sa i rëndësishëm ka qenë ky operacion, dëshmohet nga fakti se para gazetarëve ka dalë vetë drejtori i sigurimit publik të Athinës, gjeneral-major Christos Papazafeiris. Sipas tij, banda kishte një organizim të përsosur dhe çdo gjë bëhej me kujdes të jashtëzakonshëm. Në shënjestër të bandës ishin turistët e huaj, prandaj dhe vetë hajdutët e xhepave visheshin në atë mënyrë që të jepnin përshtypjen se ishin edhe ata turistë. Ata mësynin kryesisht në linjat e metrosë dhe në stacionet me trafik të dendur, ndërsa preferenca më e madhe ishte në linjën e aeroportit. Me metoda të sofistikuara u vidhin viktimave portofola, celularë të shtrenjtë, tableta dhe pastaj, për të humbur gjurmët, i kalonin dorë më dorë te pjesëtarët e bandës që gjithashtu ndodheshin në vagon. Pasi hiqnin paratë, i flaknin portofolat në kazanët e plehrave rreth stacioneve, ndërsa celularët dhe tabletat ua shisnin tregtarëve të caktuar. Banda kryente të paktën 15 vjedhje në ditë dhe të përfitonin minimumi 3.500 euro, tha drejtori i sigurimit publik. Ai shtoi se vlerësohet që banda të ketë kryer gjithësej më shumë se 4.000 vjedhje, nga të cilat kanë përfituar qindra mijëra euro. Nga hetimet e deirtanishme policia ka verifikuar 764 vjedhje, ndërsa në cilësinë e provës janë sekuestruar 498 portofola të vjedhur, si dhe një shumë parash prej 9.500 euro. Gjithashtu, janë identifikuar edhe 18 pjesëtarë të tjerë të bandës, dhe policia po vazhdon punën për gjetjen dhe arrestimin e tyre.

Ndaje me miqte