0030 210 33 18 483

Greqi intensifikohet epidemia e gripit

TRIBUNA 04 Janar 2017

Autoritetet shëndetësore greke paralajmërojnë për një intensifikim të epidemisë së gripit në vend. Ditët e fundit, është rritur numri i qytetarëve që kanë paraqitur simptoma të gripit dhe janë drejtuar në repartet e urgjencës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky numër është 15% më i lartë. Sipas të dhënave zyrtare, deri paraditen e të mërkurës, vetëm 10 persona është dashur të mbahen në repartet e kurimit intensiv, ndërsa është shënuar edhe një rast vdekjeje nga gripi. Por të mërkurën në mesditë, u raportua për një situatë alarmante në zonën e Larisas. Në spitalin e përgjithshëm të qytetit trajtohen 400 raste në ditë, ndërsa 62 prej tyre janë mbajtur në pavione për trajtim të mëtejshëm. Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve ka konkluduar se gripi i sivjetëm është i nëntipit H3N2, që prek kryesisht grupmoshat mbi 65 vjeç. Prandaj dhe këshillohet vaksinimi i tyre. Ndërkohë, qendra europiane e parandalimit të sëmundjeve (ECDC), ka paralajmëruar që nëse ky nëntip vazhdon të dominojë, ka gjasë që grupmosha mbi 65 vjeç të sëmuret seriozisht, duke i vënë në një sprovë serioze shërbimet shëndetësore të vendeve të tyre”. Sipas ECDC, vaksionimi i këtyre grupmoshave si dhe grupeve të tjera të rrezikuara, mbetet një prioritet.

Ndaje me miqte