0030 210 33 18 483

Greqi ministri i rendit: &ldquoNuk ka shenja për goditje terroriste&rdquo

22 Gusht 2017

Autoritetet greke kanë vendosur të ekstradojnë një shtetase belge, që dyshohet se është përfshirë në aktivitete terroriste. 22 vjeçarja me origjinë nga Maroku u arrestua në fundjavë në tragetin e linjës Bari-Igumenica. Ndaj saj ishte lëshuar prej autoriteteve belge një urdhër arresti ndërkombëtar, ndërsa policia greke u sinjalizua nga homologët italianë se e dyshuara po shkonte drejt Greqisë. Të martën, prokuroria e Korfuzit silloi procedurat për ekstradimin e të arrestuarës. “Nuk e dimë se në cilën çështje terrorizmi implikohet e arrestuara”, i deklaroi një burim i prokurorisë agjencisë franceze të lajmeve, AFP. Kjo ngjarje, si dhe akti terrorist në Barcelonë të enjten e kaluar, kanë ngjallur shqetësim edhe në Greqi. Por ministri grek i rendit, u përpoq të qetësojë opinionin vendas, duke thënë se nuk ka shenja për një akt të mundshëm terrorist në vend. “Nuk ka shenja për kërcënime të tilla, për rreziqe të tilla në vendin tonë. Por kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë rreziqe në përgjithësi, se nuk mund të dalin persona që kanë ndër mend të bëjnë akte si ato që pamë në Europë”, tha ministri Nikos Toskas duke folur për televizionin publik, ERT1. Toskas shtoi se “Greqia është një shtyllë stabiliteti, sigurie dhe qetësie në raport me gjithë Europën”. Por ai përsëriti se nuk mund të përjashtohet që një “ujk i vetmuar” siç thuhet, të tentojë kryerjen e një goditjeje terroriste. Ashtu si në gjithë Europën, edhe në Athinë janë shtuar këto ditë masat e sigurisë dhe gatishmëria e forcave të rendit është ngritur në një nivel më të lartë. Greqia ka një traditë sulmesh terroriste të niveleve të ulëta, me autorësinë e organizatave guerrile vendase. Shqetësimi i autoriteteve të sigurisë lidhet më së shumti me mundësinë që krahas refugjatëve nga Siria dhe vende të tjera të lindjes, të cilët vërshojnë në vend që prej tre vjetësh, të penetrojnë edhe elementë xhihadistë, sikurse edhe ka ndodhur. Media greke po njofton se ditët e fundit është shtuar në mënyrë të ndjeshme numri i refugjatëve që po futen në vend, kryesisht nga rrugët detare. Media aludon se kjo rritje e numrit mund të ketë lidhje edhe me zhvillimet e ditëve të fundit me terrorizmin, edhe pse thekson që autoritetet presin edhe flukset e ditëve të ardhshme që të nxjerrin një konkluzion të saktë. Gjithsesi, analistët e sigurisë venë në dukje se në territorin grek ka aktualisht më shumë se 650 mijë myslimanë. Ata vërejnë se nuk ka asnjë element që të provojë radikalizimin e myslimanëve të brezit të parë. Por theksojnë se ky rrezik është shumë i madh tek të rinjtë e brezit të dytë dhe të tretë. Prandaj rekomandojnë që autoritetet të bëjnë kujdes për parandalimin e një zhvillimi të tillë, edhe pse konsiderohet se Greqia është e blinduar edhe për shkak të marrëdhënieve tradicionalisht të mira me vendet e botës myslimane.

Ndaje me miqte