0030 210 33 18 483

Greqi ndërpriten negociatat midis qeverisë dhe kreditorëve

13 Prill 2016

Negociatat midis qeverisë greke dhe kreditorëve janë ndërprerë dhe pritet të vazhdojnë që nga e hëna e ardhshme. Lajmin e bëri të ditur në orën 2 pas mesit të natës, duke dalë nga salla e negociatave, ministri grek i financave, Euklidis Tsakalotos. Sipas tij, kjo u bë me qëllim që sa përfaqësuesit e kreditorëve, aq edhe të qeverisë greke, të shkojnë në Uashnigton, ku më 15 dhe 16 prill do të mbahet takimi i Fondit Monetar ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Sipas ministrit, të gjitha palët ranë dakord për ndërprerjen e përkohshme të negociatave. Ministri shtoi që megjithëse është shënuar progres në çështjet e rëndësishme, mbeten shumë detaje, për të cilat nuk ka kohë të mjaftueshme që të shkruhet teksti i marrëveshjes në nivel ekspertësh. Kjo marrëveshje do t’i paraqitet më pas ministrave të financave të eurozonës të cilët duhet ta ratifikojnë për të patur një vlerësim të suksesshëm të programit grek. Negociatat aktuale filluan menjëherë pas zgjedhjeve të shtatorit në Greqi dhe duhej të përfundonin brenda vitit 2015. Por ato janë zgjatur për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme ndërmjet palëve. Nga finalizimi i suksesshëm i vlerësimit të programit të Greqisë, varet vazhdimi i financimit ndërkombëtar të vendit. Por varet gjithashtu edhe vendimi i kreditorëve për një lehtësim të mundshëm të barrës së borxhit për Greqinë. Pavarësisht se pala greke thotë se ka bërë gjithçka dhe shprehet optimiste për arritjen e marrëveshjes deri në fund të këtij muaji, drejtoresha e përgjithshme e FMN, Christine Lagarde, i ka bërë një tjetër paralajmërim Greqisë. “Greqia nuk mundet thjeshtë të avancojë me pahir dhe të presë që problemet do të zgjidhen vetiu. Liderët e Greqisë do të duhet të marrin mbi vete përgjegjësinë për rindërtimin e vendit të tyre”, theksoi Lagarde disa orë para ndërprerjes së negociatave. Duke folur për revistën “Bloomberg Market”, Lagarde vuri në dukje se qeveritë greke, njera pas tjetrës, mohojnë se masat dhe reformat që duhej të realizoheshin ishin të vetat, por i paraqesin ato sikur të imponohen nga trojka. Tribuna

Ndaje me miqte