0030 210 33 18 483

Greqi një vit nga vendosja e kontrollit mbi qarkullimin e kapitaleve

29 Qershor 2016

Një vit më parë, mbrëmjen e të dielës, 28 qershor 2015, qytetarët grekë vërshuan në bankomatet për të tërhequr sa më shumë para që të mundnin. Radhët e gjata kanë mbetur ende të fiksuara në kujtesën jo vetëm të grekëve... Të nesërmen, bankat greke nuk u hapën si zakonisht dhe qëndruan mbyllur për më shumë se një javë. Mirëpo, edhe kur bankat u hapën, asgjë nuk ishte më si më parë. Ndërsa në fjalorin e përditshëm të qytetarëve hyri një fjalë e re: capital control. Qytetarët mund të tërhiqnin nga llogaritë e tyre bankare vetëm 60 euro në ditë. Qeveria greke u detyrua të merrte këtë masë pa precedent për një vend të Bashkimit Europian, pasi Brukseli vendosi të pezullojë mbështetjen financiare ndaj Greqisë. Kjo u bë si reagim ndaj vendimit të kryeministrit grek Aleksis Tsipras, për të hedhur në referendum programin e masave shtrënguese të propozuar nga partnerët. Në masën 65% grekët votuan kundër masave. Por vetëm pak ditë më vonë, Athina u detyrua të pranojë një program edhe më të ashpër, e përballur me rrezikun mjaft konkret që vendi të falimentonte. Gjatë një viti, qëndrimi i Athinës ndryshoi në mënyrë radikale dhe Alkeksis Tsipras sot po përshëndetet nga liderët ndërkombëtarë për vendosmërinë në zbatimin e masave shtrënguese. Por kontrolli i kapitaleve vazhdon të jetë në fuqi, pavarësisht se qytetarët tashmë mund të marrin përnjëherë nga bankomatet më shumë para: 420 euro, që përsëri do të thotë 60 euro në ditë. Në përvjetorin e trishtuar të kufizimeve në qarkullimin e kapitaleve monetare, federata e tregtarëve grekë ka publikuar shifrat e një studimi, ku konkludohet se kjo periudhë njëvjeçare është konvertuar në mbylljen e mijëra bizneseve të vegjël e të mesëm, rënie të kompetivitetit dhe të eksporteve, por edhe një rrjedhje dramatike depozitash, me vlerë 121,5 miliardë euro. Në shifra më konkrete, studimi vë në dukje se që nga 28 qershori 2015 deri më sot, u mbyllën 25.990 biznese, ndërsa në krahasim me vitet e mëparshëm janë krijuar 34.000 biznese më pak. Ndërsa e cilëson si “përvjetori i zi”, federata e tregtarëve thekson se kontrolli i kapitaleve është “një lak më shumë në fytin e biznesit, që vazhdon të pengojë veprimtarinë tregtare”. Tribuna

Ndaje me miqte