Greqi përplasje opozitëqeveri për çështjet e sigurisë
25 Prill 2016
Kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe shefi i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, janë përplasur gjatë një debati parlamentar me temë sigurinë e vendit.
Debati u kërkua nga partia më e madhe opozitare, Demokracia e re, që kërkonte të dinte se çfarë masash ka marrë qeveria pas sulmeve terroriste në Paris dhe në Bruksel.
Pikërisht, ky artikulim i arsyetimit të opozitës, i ka dhënë shkas kryeministrit që të akuzojë kundërshtatin e tij politik për një qëndrim siç tha, të rrezikshëm e të papërgjegjshëm.
“Në një periudhë kritike, pak para nisjes së sezonit turistik, ju aludoni se ka rrezik për sigurinë, ndërsa askush në Europë nuk e ka çuar ndërmend një gjë të tillë”, tha Tsipras.
“Me këtë qëndrim ju do të forconi Agimin e Artë, dhe jo partinë tuaj”, shtoi Tsipras.
Kryeministri grek tha më tej se Greqia nuk është pjesë e krizës së sigurisë, por madje përbën një “oaz sigurie” në një rajon gjerësisht të destabilizuar.
Por shefi i opozitës, insistoi se shteti është tërësisht inekzistent në çështjet e sigurisë dhe të rendit. Mitsotakis iu referua incidenteve të para dhjetë ditëve në Idomeni, ku sipas tij, një vend i tretë (e kishte fjalën për Maqedoninë), avancoi në vendosjen e rendit në brendësi të territorit grek. “Në pikën më të ndjeshme të kufijve, mungonin forcat greke të rendit”, theksoi Mitsotakis.
Përplasja e kryeministrit me shefin e opozitës, ndodhi vetëm pak orë pasi sindikata e policëve kufitarë kishte deklaruar se Idomeni është shndërruar në një pikë për kalimin e xhihadistëve. Në një konferencë për shtyp, sindikalistët e policisë thanë se në Idomeni qeveria greke la të krijohet një situatë e cila sipas tyre tashmë nuk është e kontrollueshme dhe as e menaxhueshme. “madje dhe tani jemi të siguret se po vazhdojnë të kalojnë xhihadistë nëprmjet vendit tonë”, thanë përfaqësuesit e policëve të kufirit.
Por ministri i rendit reagoi menjëherë, duke përgënjeshtruar deklaratat e policëve dhe duke i paralajmëruar ata.
“Veprimet e artyre që përhapin gënjeshtra të tilla janë të papërgjegjshme e të rrezikjshme dhe si të tilla do të trajtohen”, deklaroi pasdite ministri grek i rendit, Nikos Toskas.
Tribuna
Ndaje me miqte