0030 210 33 18 483

Greqi refugjatët kërcënojnë se do të vetëvriten po të deportohen

TRIBUNA 20 Dhjetor 2016

Në qendrat e izolimit të refugjatëve në Greqi është tensionuar sërish situata, dhe janë shënuar incidente të ashpra. Të ndodhur prej më shumë se një viti në gjendje pritjeje, refugjatët protestojnë pse ende nuk kanë marrë përgjigje ndaj kërkesave të tyre për azil. Në rast se kërkesat e tyre pranohen, ata do të fitonin mundësinë që të shkonin në vende të tjera të Bashkimit Europian. Në një nga qendrat e izolimit në ishullin Kos, të hënën u desh ndërhyrje e policisë për të zbrapsur refugjatët e zemëruar ngase iu refuzua kërkesa për azil. Refugjatët iu vunë zjarrin mjediseve të kampit, ndërsa sulmuan edhe forcat e policisë që përdorën bomba zhurmuese kundër refugjatëve. Zjarret u shuan me ndërhyrjen e zjarrfikësve. Zërat se ditët e ardhshme do të ketë deportime masive të refugjatëve nga Greqia për në Turqi, nxitën reagime të tjera të fuqishme. Siç raportohet, dhjetra refugjatë në kampin e Sudas që ndodhet në ishullin Hios, ndodhen që prej të hënës në grevë urie. Refugjatët kanë paralajmëruar agjencinë europian të kufirit, Frontex, se ata nuk do të pranojnë të deportohen, por do të vetëvriten. “Ne po rrimë këtu duke pritur të çlirohemi. Për fat të keq, nëse na deportoni, ta dini se shumica prej nesh do të vrasim veten”, paralajmërojnë 150 refugjatë nga Bangaldeshi. Duke iu referuar pritjes disamujore që të marrin përgjigjen e kërkesës për azil, refugjatët shkruajnë: “do mëngjes zgjohemi me pritshmërinë e gëzimit dhe të lumturisë, mirëpo përkundrazi, përballemi me dhimbjen, për shkak të mungesës së lirisë”.

Ndaje me miqte