0030 210 33 18 483

Greqi rrëzohet helikopteri ushtarak me 5 persona në bord

Tribuna 19 Prill 2017

Katër ushtarakë humbën jetën në Greqi, teksa një helikopter i aviacionit luftarak grek me pesë persona në bord u rrëzua paraditen e të mërkurës. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka identifikuar katër viktimat: një gjeneral, një kolonel, një major dhe një toger. Nga aksidenti ka mbijetuar vetëm një nëntogere, gjendja shëndetësore e së cilës konsiderohet e rëndë. Fillimisht u njoftua se helikopteri i tipit UH-1H Huey, u zhduk nga radarët në orën 07:50 të së mërkurës. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, helikopteri ishte nisur nga një bazë ajrore në Larisa, me destinacion qytetin e Kozanit, në veri të vendit. Fluturimi kishte qenë i programuar dhe në bordin e tij ndodheshin pesë persona, tre pjesëtarë të ekupazhit dhe dy oficerë të lartë. Sipas mediave greke, njeri prej oficerëve ishte nënkomandanti i armatës së parë të FA. Katër orë më vonë, agjencia zyrtare e lajmeve, ANA-MPA, në një njoftim tepër lakonik, bënte me dije se helikopteri u lokalizua në vendin e quajtur Sarantaporos, rreth 50 km nga qyteti i Kozanit. Agjencia bënte gjithashtu me dije se në vendgjarje kanë mbërritur ekipet e shpëtimit. Helikopteri thuhet se ka rënë në një zonë malore. Në të njëjtën zonë, në 1976, ishte rrëzuar dhe një avion i kompanisë greke të fluturimeve, Olimpik dhe të 46 personat që ndodheshin në bord kishin gjetur vdekjen.

Ndaje me miqte