0030 210 33 18 483

Greqi shpallet antikushtetues ligji për licencat televizive

TRIBUNA 27 Tetor 2016

Në Greqi, gjykata e lartë e vendit ka shpallur si antikushtetues ligjin për licensat televizive kombëtare. Vendimi u muar me vota 14-11, në një seancë që përfundoi në orët e vona të së mërkurës. Gjykata e lartë ka konkluduar se i vetmi organ kompetent për çështjen e licencave është Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit dhe jo qeveria, siç përcaktonte ligji që u shpall antikushtetues. Por ky këshill e ka përfunduar mandatin dhe ende nuk është krijuar, për shkak edhe të refuzimit të opozitës që të japë konsensusin e vet. Mbi bazën e ligjit që u shpall si antikushtetues, ishte zhvilluar në shtator tendrimi i katër licencave kombëtare. Fituesit ofruan gjithësej rreth 250 milionë euro, ndërsa kanë paguar edhe këstin e parë të kësaj shume. Tashmë këto para do të duhet që t’iu kthehen. Ndërsa aktualisht në Greqi ka tetë televizione kombëtare, katër prej tyre që nuk arritën të merrnin licencë, do të duhej të mbylleshin brenda një kohe të shkurtër. Tashmë, edhe ato do të vazhdojnë të funksionojnë. Vendimi i mbrëmshëm i gjykatës së lartë, është konsideruar nga analistët si një shuplakë për qeverinë dhe si humbja më e thellë politike për kryeministrin Tsopras, që e kishte shndërruar licensimin e televizioneve kombëtare në flamur të luftës kundër korrupsionit. Por qeveria greke ka reaguar me shumë ashpërsi ndaj vendimit të gjykatës, duke paralajmëruar se të hënën do të paraqesë një ligj të ri për pajisjen e televizioneve me një licencë të përkohshme.

Ndaje me miqte