0030 210 33 18 483

Greqi shqiptari me kokë të prerë ishte qëlluar me armë zjarri

10 Maj 2016

Një ngjarje makabër, me viktimë një shtetas shqiptar, ka ndodhur në një fshat të Igumenicës. Ai është gjetur i vdekur dhe me kokë të prerë, mëngjesin e të hënës, në një stan, 20 km larg fshatit Glika të Thesprotisë. Trupi i pajetë u gjet nga punëdhënësi i tij, një blegtor grek. Operacioni në shkallë të gjerë i policisë për gjetjen e pjesës së gjymtuar, ende nuk ka dhënë ndonjë rezultat. Sipas mjekut ligjor, që e ekzaminoi trupin në vendngjarje, vdekja e viktimës ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të dielës. Viktimës nuk i janë gjetur në trup apo plagë shenja që të tregojnë se ka patur ndonjë përleshje. Por në orët e vona të së hënës, dhe pas kryerjes së autopsisë nga mjeku ligjor, u konstatua se viktima ishte qëlluar me armë zjarri. Sipas mjekut ligjor që citohet nga mediat, plumbi i dalë nga një armë gjahu me grykë teke, kishte ngecur si pykë në mushkëritë e viktimës. Kështu, supozohet se 26 vjeçari është qëlluar fillimisht në qafë dhe më pas autori apo autorët i kanë prerë kokën viktimës. Gjetjet e reja kanë përmbysur gjithë vlerësimet dhe hamendjet që ishin bërë në ditën e parë të ngjarjes. Hamendje që i përqëndronin gjithë pistat e vrasjes në larje hesapesh, nisur dhe nga një e dhënë se viktima kishte qenë i skeduar në Shqipëri. Përndryshe, policia greke, në një komunikatë lakonike të publikuar të hënën në orët e vona të mbrëmjes, thjesht informon se po vazhdon operacioni për gjetjen e autorëve. E vetmja e dhënë konkrete që përmban komunikata është se trupi i gjymtuar i përket një shtetasi shqiptar me moshë 26 vjeç. Tashmë, gjetjet e autopsisë kanë shtuar një pistë të re në hetime. Atë që autori i vrasjes nuk i përkiste detyrimisht rrethit të bashkatdhetarëve të viktimës, siç ishte dyshuar fillimisht. Autoritetet policore greke, në zbatim të rregullave të brendshme, nuk e kanë publikuar ende emrin e viktimës, që sipas disa mediave ka inicialet B.T., dhe është nga Skrapari. Viktima kishte rreth dy muaj që punonte për një blegtor, në fshatin Glika të Igumenicës, ku kishte qenë edhe më përpara. Sipas dëshmive të banorëve, të përcjella nga mediat lokale, ai ishte një njeri i vetmuar, që jetonte në stanin që ndodhej rreth 20 km larg fshatit nuk kishte asnjë marrëdhënie, madje as me 20 familjet shqiptare që jetojnë e punojnë në atë zonë. Tribuna

Ndaje me miqte