Greqia ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën për daljen nga kriza. Pas tetë vjetësh, vendi nuk do t’u nënshtrohet më procedurave disiplinore për deficitin e madh publik. Këshilli i ministrave i BE-së ka mirtuar të hënën propozimin përkatës, të paraqitur disa javë më herët nga Komisioni Europian. Mbyllja e procedurave disiplinore u komunikua nga ministri estonez i financave, Toomas Toniste. “Pas shumë vitesh vështirësish serioze, financat e Greqisë janë shumë më të mira. Rrjedhimisht vendimi i sotëm është i mirëpritur”, deklaroi ministri i financave i Estonisë, vendit që ka presidencën e radhës të BE-së. Vendimi u përshëndet edhe nga komisioneri europian për financat, Pierre Moscovici. “Greqia nuk ka më deficit të ekzagjeruar. Njohje e përpjekjeve të popullit grek që nga 2009-a”, komenton Moscovici me një mesazh në rrjetin social Twitter. Në komunikatën e Këshillit të ministrave vihet në dukje se nga një deficit 15,1% në vitin 2009, financat publike të Greqisë u përmirësuan në mënyrë të ndjeshme dhe viti 2016 u mbyll me një suficit primar 0,7%. Megjithëse do të ketë një deficit të vogël në vitin në vazhdim, perspektivat fiskale të Greqisë pritet të përmirësohen edhe më tej, thuhet në komunikatën e publikuar mesditën e sotme. “Mbikqyrja e financave publike të Greqisë do të vazhdojë deri më gusht 2018, kur mbaron programi aktual i përshtatjes”, thuhet më tej në komunikatën e këshillit të ministrave të BE-së.