Greqia dhe Shengeni zhvillime të rëndësishme brenda javës
15 Shkurt 2016
Java që sapo filloi konsiderohet si tepër e rëndësishme për zhvillimet ludhur me çështjen e refugjatëve. Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka nisur që të dielën një seri kontaktesh, ndërsa vështrimet janë përqendruar në samitin e BE-së që do të mbahet të enjten dhe të premten (18-19 shkurt) në Bruksel.
Samiti do të mbahet në sfondin e “ultimatumeve” të BE-së ndaj Greqisë, për të avancuar brenda tre muajsh në kontrollin rezultativ të kufijve, duke e paralajmëruar se në të kundërt, hapet rruga për shtrirjen e kontrolleve të brendshme të kufirit në zonën Shengen, për dy vitet e ardhshme.
Siç vlerësojnë analistët, në thelb, Bashkimi Europian paralajmëron për një pezullim të pjesëmarrjes së Greqisë në zonën Shengen. Në këtë klimë, dokumente sekrete që u referohet agjencia Associated Press, tregojnë se BE është i vendosur që të rikthejë kontrollet kufitare.
Shqetësim ka shkaktuar në Athinë edhe deklarata e ministrit të jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz (bërë në të përditshmen greke Ta Nea), që propozoi të mbyllen kufijtë e Republikës Ish Jugosllave të Maqedonisë -FYROM, me qëllim që të kontrollohen flukset e refugjatëve.
Kurz, gjatë vizitës së tij në Shkup, disa ditë më parë, e ftoi qeverinë vfendase që të gjendet në gatishmëri me qëllim që të “ndalohen plotësisht” hyrja e refugjatëve dhe emigrantët nga kufijtë jugorë të vendit, me Greqinë.
Qeveria greke nga ana e vet, deklaron se po shkon në samitin e BE-së, “e armatosur”, pasi pesë qendrat e pritjes (hot spots) që ishte angazhuar të krijojë janë gati, ndërsa në të njëjtën kohë, burime kompetente vlerësojnë se pjesëmarrja e NATO-s në patrulla në ujërat turke do të funksionojë pozitivisht për Greqinë, duke siguruar reduktimin e flukseve të refugjatëve.
Në Athinë, kryeministri Aleksis Tsipras priti ministrin e jashtëm të Holandës, Bert Koenders. Koenders, që më herët kishte vizituar Shkupi, i tha kryeministrit grek se u kishte theksuar mikpritësve rreziqet prej veporimeve të njëanshme, siç është mbyllja e kufijve.
Koenders, vendi i të cilit ushtron aktualisht presidencën e BE-së, nënvizoi gjithashtu se Holanda synon një konsensus mbareuropoiuan në menaxhimin e krizës së refugjatëve, ndërsa u pajtua me kryeministrin grek për nevojën e goditjes rezultative të rrjeteve të trafikantëve, si dhe për përmirësimin e procesit të rivendosjes.
Kontaktet e kryeministrit grek me aktorët kryesorë europianë do të vazhdojnë të enjten, kur do të presë në Athinë presidentin e këshillit të BE, Donald Tusk. Të mërkurën, Tsipras do të shkojë në Bruksel për samitin, ku është programuar një takim me kreun e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.
Tribuna
Ndaje me miqte