0030 210 33 18 483

Greqia i refuzon vizitën në Athinë ministres së brendshme të Austrisë

26 Shkurt 2016

Tensioni midis Athinës dhe Vjenës është shkallëzuar edhe më tepër. Të premten, qeveria greke i ka dhënë përgjigje refuzuese kërkesës së ministres së brendshme të Austrisë, Johanna Mikl Leitner, për të vizituar Greqinë. Sipas të përditshmes greke, Kathimerini, ministria e jashtme greke u përgjigj se, që të realizohet kjo vizitë, duhet që më parë të anulohen gjithë vendimet e marra në takimin me vendet e Ballkanit Perëndimor që u zhvillua të mërkurën në Vjenë. Vendimet e këtij takimi u konsideruan nga Athina si një akt armiqësor, të cilit pala greke iu përgjigj me nota proteste, deklarata të ashpra, por edhe me tërheqjen e ambasadores së Greqisë në Vjenë. Vendimi për kufizimin e hyrjes së refugjatëve në vendet e itinerarit ballkanik, ka shkaktuar një situatë shpërthyese në Greqi, pasi, sipas Athinës, autoritetet e Shkupit fqinj lejojnë vetëm 200 persona në ditë të futen në territorin e tyre, në kohën që në brigjet greke mbërrijnë çdo ditë mijëra refugjatë dhe emigrantë. Në fakt, një duel i në distancë midis minstres së brendshme austriake dhe ministrit grek të emigracionit, kishte filluar që të enjten pasdite. Gjatë ministeralit të çështjeve të brendshme dhe emigracionit, të Bashkimit Europian, ministrja austriake kishte bërë një deklaratë tepër të fortë: “Po e them hapur dhe me sinqeritet: Nëse Greqia thotë vazhdimisht se nuk është e mundur mbrojtja e kufijve grekë, atëherë duhet të shqyrtojmë nëse duhet të jenë aty kufijtë e Shengenit”. Ajo e argumentoi deklaratën e saj me faktin se siç tha, ministri grek i emigracionit, Janis Muzalas, kishte pranuar pak më parë, në takimin e ministrave të BE-së, se Greqia e ka të pamundur të mbrojë e vetme kufijtë. Por ministri grek ka reguar menjëherë, me një deklaratë për shtyp: “Ministrja austriake nuk thotë të vërtetën. Greqia dhe zoti Muzalas pretendojnë në të gjitha tonet se vendi ynë i mbron me mënyrën më të mirë të mundshme kufijtë e saj që janë edhe kufijtë e BE-së. Këtë fakt e vërteton edhe Frontex-i, por edhe Komisioni Europian. Veprime dhe deklarata si të zonjës Laitner, nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit, por në zmadhimin e tij”, thekson ministri grek. Refuzimi i vizitës së ministres së brendshme austriake, pason një tjetër veprim të Athinës, që konsiderohet si tepër i rrallë në raportet midis dy vendeve anëtare të BE-së. Të enjten, qeveria greke thirri në Athinë për konsultime ambasadoren e vet në Vjenë. Ky akt u argumentua nga Athina si një përjekje për t’u ruajtur marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe popujve. Tribuna

Ndaje me miqte