0030 210 33 18 483

Greqia ka sekuestruar 13 tonë kanabis të sjellë nga Shqipëria

Tribuna 16 Mars 2017

Autoritetet greke thonë se kanë sekuestruar 14 muajt e fundit rreth 13 tonë kanabis, pjesa dërrmuese e të cilit vinte nga Shqipëria. Për çështje që lidhen me trafikun e drogës janë arrestuar në të njëjtën periudhë më shumë se 12 mijë persona. Sa i përket nacionalitetit të të arrestuarve, dominojnë shqiptarët dhe grekët. Këta të fundit po përfshihen përherë e më shumë në transportimin e drogës, të joshur nga pagesa prej 1000 eurosh për çdo rrugë. Autoritetet greke thonë se përfshirja e shtetasve vendas shpjegohet me vështirësitë që ka krijuar kriza ekonomike, duke duke bërë mjaft prej tyre që të përpiqen për të siguruar të ardhura nëpërmjet veprimtarive të paligjshme. Policia greke publikoi të enjten pamje nga asgjesimi i rreth 2,5 tonë kanabis, si dhe 58 kg heroinë të kapur dy muajt e fundit. Asgjesimi u bë me mënyrën e djegies në furrnaltë, në një zonë e cila nuk bëhet e ditur, por në prani të prokurorit dhe të oficerëve të drejtorisë së sigurimit publik të Athinës. Bashkë me pamjet filmike dhe fotografitë nga aksioni i djegies së drogës, drejtoria e përgjithshme e policisë greke ka publikuar edhe shifrat konkrete, të një periudhe kohore që e quan si shumë të suksesshme. Kështu, në periudhën nga janari 2016 deri në shkurt 2017, janë sekuestruar: 12,8 tonë kanabis 200,2 kg heroinë 125,4 kg kokainë, 55.470 fidanë kanabisi 76.357 pilula me përmbajtje narkotike. Në komunikatën e policisë greke thuhet se vetëm në dy muajt e parë të 2017-s janë sekuestruar më shumë se 3 tonë kanabis, dhe mbi 106 kg heroinë. Autoritetet thonë se rastet e kapjes së kanabisit që vjen nga Shqipëria janë bërë thuajse të përditshme në Greqi vitin e fundit. Kjo rritje impresionuese nuk shpjegohet vetëm me kërkesën nga tregu vendas, por sidomos me shfrytëzimin e rrugëve detare dhe porteve të Greqisë, për ta kaluar kanabisin në Europë.

Ndaje me miqte