Greqia merr të hënën transhin e parë nga kësti i kredisë
Tribuna
08 Korrik 2017
Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM), ka miratuar dhënien e këstit të radhës, me vlerë 8,5 miliardë euro, të kredisë për Greqinë.
ESM ka vendosur që disbursimi të bëhet me dy duar: Transhi i parë, me vlerë 7,7 miliardë euro do të kryhet të hënën, më 10 korrik.
Ndërsa 800 milionë eurot e transhit të dytë, do të jepen pas 1 shtatorit. Siç nënvizohet në njoftimin e ESM, ky transh do të disbursohet pasi të konfirmohet se “Greqia ka shënuar progres të rëndësishëm në shlyerjen e borxheve me burimet e veta”.
Kjo do të thotë se që të marrë transhin e parashikuar për në shtator, qeveria greke duhet të ketë kryer nga buxheti i shtetit pagesa borxhi me vlerë 400 milionë euro.
Edhe për transhin e dytë do të nevojitet një vendim i ri i ESM.
Komisioneri europian për financat, Pierre Moscovici, e cilësoi disbursimin e këstit, si një “shenjë të fuqishme shprese”.
Sipas Moscovici, kjo ka të bëjë me “vendet e reja të punës, investimet dhe rimëkëmbjen në dobi të të gjithëve”.
Siç vë në dukje ESM, me disbursimin e tanishëm, shkon në 39,4 miliardë euro kontributi i mekanizmit nga totali me vlerë 86 miliardë i programit të tretë të shpëtimit për Greqinë.
ESM dhe Fondi Europian i Stabiliteti Financiar (EFSF), kanë disbursuar bashkarisht për Greqinë, nga fillimi i krizës, 181,2 miliardë euro.
Ndaje me miqte